18 Shkurt, 2019 - 9:22 pm
Këngët e kënduara nga populli, të sjellura në frymën Klasike dhe atë Folk/Jazz, nga më të bukurat shqipe janë interpretuar këtë të shtunë në Teatrin Skandinav te Scandinavia House në New York, shkruan KultPlus.
Koncerti i titulluar “Vendi im” ka ardhur në shënim të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndërsa muzikantët për publikun e komunitetin shqiptarë në New York, që interpretuan sollën një koncert të nivelit artistik.
Në këtë koncert interpretuan muzikantë nga Kosova dhe ndërkombëtarë me rezidencë dhe karrierë të suksesshme në New York si: Ergin Oda – Baritone, Taulant Mehmeti (Guitar/Bass/Çifteli), Baden Goyo (Piano [Grammy Winning Pianist]), Sergej Avanesov (Saxophone), Jeta Monet (Vocal-Guitar), Jason Wastor (Perkusione), Faton Kaja (Tupan).
Me këtë rast janë interpretuar këto vepra: Të falemi o dhe (Kushtrimi Arbëreshë) (nga: Dasma Arbëreshe, e Kompozitor / Akademik Rauf Dhomi, Hej Ju Male (Këngë Epike) nga Çesk Zadeja, Pranvera filloi me ardhë (Shkodrane), Un’ o ty moj të kam dashtë (Elbasanase), Kroi i fshatit tonë (Korçare) etj, të interpretuara në frymën klasike dhe folk/jazz.
Ergin Oda, baritoni me karrierë e rezidencë në New York, ka përcuar emocione tek audienca duke dhuruar një buqetë ngjyrash folklori me finesa klasike për fanatikët e këngës shqipe. Baden Goyo me prejardhje nga Venezuela, shoqërues në piano, befasoi të pranishmit me virtuozitetin dhe elegancën e servimit të këngës shqipe.
Me këtë rast u dëgjua tingulli i çiftelisë me një Kosovology nga Taulant Mehmeti që emocionoi audiencën dhe rrëmbeu vëmendjen gjatë kohës së interpretimit. Dashamirësit e artit, publiku prezent, vlerësuan në superlativ performancën dedikuar Pavarësisë së vendit.
Kongresisti Joe DioGuardi, bëri thirrje që projekte të tilla që kanë për synim nxjerrjen e vlerave artistike kombëtare në pah të përkrahen e mbështetën, sepse janë kartë identiteti për Komunitetin Shqiptarë të Amerikës, e sidomos për gjeneratat që vijnë.
Koncerti “Vendi im” vjen sërish me 15-të Shkurt të vitit 2020 në një format tjetër./ KultPlus.com