Nick Cave “Your face seems wet to touch”, kënga profetike, Prishtina ishte fronti kryesor i luftës

29 Maj, 2020 - 10:31 pm

Nga: Ballsor Hoxha

Çirrej Bono Vox në hane të Kurrizit të Prishtinës, këndonte, dhe kënga arrinte deri tek

“… Am I bugging you,

cause I don’t mean to bug you,

Edge, play the blues…” (Silver and Gold – U2, 1987)

Thellonte, depërtonte, penetronte solo e gitarës së Edge… Kriste disku i vetëdijes së ndëshkuar përjetë dhe arrinim në amalgamën e jetësimit të Prishtinës.

Ka një keqkuptim në shoqërinë tonë. Prishtina asnjëherë nuk është përkulur. Kurrizi si referand – shishe të zbrazura alkooli, kundërmim shtjerrjeje të njeriut, rizla, “qibrita”, dhe adoleshentë, profesora, drogirasha, muzicient e hajna, bashkë në kakofoninë e Joy Division, Velvet Undeground, Nick Cave, U2 (kur ishin revolucionar) etj, derisa dëgjohej “god loves you lonely souls” ka qenë fushëbeteja e Prishtinës, jo vetëm me Serbinë, jo vetëm me vrasësit e Millosheviqit, ka qenë fushëbeteja e njeriut përballë akumulimit të urrejtjes në glob, në vitet nëntëdhjetë, në pritje të mileniumit të ri, në këtë kohë të madhe. Fushbeteja kryesore e konfirmimit të prezencës, qenësimit tonë bashkëkohor dhe ngadhënjimit mbi tragjedinë, jo vetëm lokale, kosovare por edhe globale.

Ka pasur të gjitha përçmimet dhe denigrimet e mundshme që i janë bërë Prishtinës, Kurrizit dhe jetës së të rinjve në Prishtinë. Jo nga serbët qytetar, ata kanë pasur respektin më të madh për përpjekjen tonë për të qeniësuar ashtu siç ishim dhe jemi – shqiptarë. Përçmimi dhe denigrimi ka ardhur nga shqiptarët, dhe atë pas luftës.

Por ka pasur dy lufta në Kosovë. Me armë në gjerësinë e Kosovës, dhe me prezencë, prezencë ekszistenciale, prezencë “guri që rrokulliset” dhe prezencë përvoje në Prishtinë. Të gjithë ata që harrojnë se Prishtina ishte fronti i parë dhe jak-a-jak, kanë inferioritetin që kurrë nuk arritën të ikin nga patriarkalja e “madhështisë” së një populli prej më të vegjëlve, më tragjik dhe më të viktimizuar së paku në Evropë.

Prishtina ka qenë fronti ku është jetuar dhe jetësuar përballja me ekzistencialen e hiçit dhe egërsimit të njeriut në një kohë të madhe si hapja e botës para mileniumit. Tërë muzika e Prishtinës, e dëgjuar në Prishtinë, në vitet e aparteidit dhe luftës, tërë muzika e kësaj kohe e profetizon këtë.

(Estetika e dëgjimit) – kënga profetike

15 vjeç, në Kurriz, në Han…, dëgjonim Nick Cave dhe nuk mund të flinim me javë të tëra. Jo vetëm nga esktaza, jo vetëm nga njohja, por aq më shumë nga tronditja e botëkuptimeve tona 15 vjeçe. Por ishim aty, shkonim aty, për të qenë, për të ruajtur dhe luftuar me jetësim Prishtinën.

“This is a weeping song/ a song in which to weep”

(“Weeping Song” Nick Cave)

Kjo këngë është publikuar në vitin 1990 dhe del profetike në tërë atë që ndodh në botë pas. Ne ishim në këtë momentum. Ne ishim në këtë ekzistenciale, të të qenit përballë bishave dhe monstrumëve që tuboheshin në pozita lidershipi në tërë botën.

Kuptonim, lidheshim në lirinë e këngës, me këngën e Nick Cave, “kjo është këngë për vajtim”. Kuçtonim se në anën tjetër ne shqiptarët kemi thënien e bukur “vaji i burrave është kënga”. Në të dëgjuarit e kësaj kënge të Nick Cave perceptohet natyra e muzikës dhe bukuria e saj, posaçërisht si shqiptarë – pakufishmëria e botës. Mungesa e kufijve. Ngjashmëria e jetësimit. Bashkimi në vaj, në tragjedi.

  • Kurrizi – mallkimi për të kërkuar lirinë

“O father tell me are you crying/ Your face seems wet to touch”

(“Weeping Song” Nick Cave)

Lufta kishte shpërthyer, aty këtu kishte aksione të UÇK në stacione të policisë. Mburreshim dhe vuanim se ishim të dënuar të luftonim me përjetimin ekzistencial, të luftës për territorin e Prishtinës. Në Kurriz, në vetë Prishtinën. E tërë nata, në disa prej kafiqave më serioz në përkitjen në botën e tërë, fokusohej në këngë që arrinin atë përndritjen mbi dhe në zotërimin e valës së rrymës së botëkuptimeve globale aktuale, pikërisht në mes të luftës në Kosovë. Në luftën tonë iknim nga rendi dhe ligji e morali i patriarkalizmit ku jetonim, të tragjedisë dhe të dhembjes, tej në dhembjen universale. Tej në lirinë e botës dhe dijes. Tej kordonit policor. Në të vërtetë në këto momente, në të kapurit të “faqes së babait të lagur nga lotët” mbronim territorin e Prishtinës.

Tundej kafiqi, të gjithë të dehur, të gjithë ikur, të gjithë të lëçitur, nga sistemi, pushteti, babai dhe patriarkalja në shoqërinë tonë, dhe sigurisht edhe nga rendi shtetëror Millosheviqian, dhe prisnim momentin kur na konfirmohej:

“your face seems wet to touch” – vaji i burrave,

Lufta në Kurrizin e Prishtinës ka pasur edhe armët – dehjen deri në nihilizëm të çdo gjëje, trimëri për përballje me të nesërmen e paardhmëri (për dallim në territoret e luftimeve kishe përballë armikun); pastaj kishte dhe refugjatët e saj – studentat e mbetur në Prishtina nga Kosova; por dhe heronjtë dhe viktimat e saj.

Tronditja nga ekzistencialja e Prishtinës, përballë pafatësisë, mungesës së një fati, çfarëdo fati, edhe udhërrëfyese nëpër ekzistencializmin e një kohe të madhe të njerëzimit (gjë të cilën luftohej në Kurriz për t’u përjetuar, për t’u mbajtur mend dhe të jetësohej në liri). Tronditja edhe si muzikë tragjedie kishte sjellë edhe drogat, heroinën. Ikjen dhe mallkimin për liri. Me gjithë vuajtjen, viktimat dhe sidomos vdekjet, ishte luftë, ishte përpjekje për të mbrojtur territorin. Mbi të gjitha ishte dhembje e luftës të të qenit përballë kotësisë së njerëzimit, egërsisë së tij, kuptimit tejet të thellë dhe direkt të profetizimeve të muzikës aktuale botërore. Dhembje e pamundësisë dhe dhembje e mallkimit për të jetësuar lirinë. Plagë dhe heronj lufte, pavarësisht etikës dhe moralit, pavarësisht tragjedisë, ushtarë të humbur.

  • Përfundim – Aveny, Kulturologjia e saj

 dhe jetësimi i Prishtinës

Të gjitha këto dhëshmohen menjëherë pas luftës. Kulturologjia, zhveshja e pushtetit politik përmes industrisë së artit, e Aveny, emisionit të RTK bartë këtë përvojë përballë kosovarit.

Lorik Sylejmani autor, dhe Gëzim Krasniqit, tanimë i vdekur, menjëherë pas luftës kanë realizuar një prej emisioneve që përmenden, mbahen në mend dhe përdoren ende. Të regjur në Kurriz, “Në Qiellin Mbi Prishtinën” (si filmi Sky Above Berlin, dhe kënga e U2 “Faraway so Close), me përvojë në shije, dije dhe jetësim, kanë monumentalizuar për vite me radhë pikërisht ngadhënjimin e Prishtinës mbi luftën ndaj injorancës, ndaj izolimit të shoqërisë sonë. Dhe sidomos  kanë liruar konfliktin e adoleshentëve me politikën dhe rikthimin e patriarkales dhe meskinitetet e pushtetit politik.

Aveny ka qenë Kulturologji, (disiplinë e Sociologjisë që i kundërvihet pushtetit dhe ideologjisë së mveshur përmes industrisë së argëtimit dhe artit), ka qenë dija dhe përmbysja e besëtytnive të injorancës dhe të mungesës së informacionit (shumë më herët se Google dhe internetëzimi i Kosovës).

Në Aveny është bërë bartja e përvojës ekzistenciale të Prishtinës si front lufte kulturore dhe shpirtërore dhe përvoje, dhe po ashtu edhe edukimi përmes interpretimit, analizës dhe prezantimit të fushës alternative të artit në përgjithësi, prej Bauhaus (arkitekturës, pikturës së Kandinsky e Paul Klee, e deri tek vetë bendi i quajtur me të njëjtin emër), e deri tek Velvet Underground, Lou Reed e deri tek Laurie Anderson.

Aveny, e sigurt jashtë patriarkales së shoqërisë sonë, është ajo që konfirmon Prishtinën si front lufte, kryesorin, në përpjekjen për emancipim, dije, dhe përvojë. Përballë ekzistenciales së një qyteti shumëdimensional. Ngadhënjimin e Prishtinës në luftë. Dhe pas lufte.

(Vazhdon me – referandin – tjetër të Prishtinës – Radio Urban FM)

P.S.

“…The warden says “The exit’s sold

If you want a way out…

Silver and gold, silver and gold…”

(Silver and Gold – U2) /KultPlus.com

Të ngjajshme