Nis Festivali i Porto Palermos, përvojë e paharrueshme e netëve të verës

3 Gusht, 2024 - 4:59 pm

Porto Palermo Festival u rikthye këtë sezon veror me edicionin e tij të katërt, ndërsa pritet të sjellë 12 artistë në 12 mbrëmje.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja publikoi momente nga nata e parë e festivalit që mbahet në një nga sitet më të bukura të trashëgimisë historike.

Mbrëmja e parë e Festivalit Porto Palermo, edicioni 4, hapi siparin e netëve artistike që mbahen në kalanë historike me ikonat e muzikës jazz  Elina Duni dhe Eda Zari, shoqëruar nga Rof Luft dhe organizatori Olen Cesari.

“Artistet e mirënjohura u bënë bashkë në një performancë unike dhe të sinkronizuar për t’i dhënë çdo të pranishmi një eksperiencë të paharrueshme këtë natë vere”, shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.
.

Aktiviteti artistik mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duke ndërthurur nga zërat, meloditë, aktrimet dhe performancat e mrekullueshme të artistëve.

Në Porto Palermo pritet të mblidhen emrat më në zë të muzikës bashkëkohore shqiptare, një pjesë e të cilëve tashmë janë artistë që rikthehen për të disatën herë, si psh: Elina Duni e Eda Zari. Në festival do të jetë e pranishme ylli shqiptar i muzikës klasike, Inva Mula, këngëtarë si Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, Dren Abazi, por edhe emra nga arena ndërkombëtare si Manuela Villa, Lavinia Mancusi etj. Si në të gjitha edicionet e kaluara edhe krijuesi i Porto Palermo Festival, Olen Cesari, do të interpretojë me violinën e tij, natën e parafundit.

Ky festival synon, jo vetëm të sjellë artistët më të mirë për të performuar në skenën e vet autentike, por edhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme