4 Dhjetor, 2024 - 6:08 pm
Festivali i “Këngës Magjike”, rikthehet në shtëpinë e saj, në Pallatin e Koncerteve, duke nisur sonte rrugëtimin e netëve live, përpara një publiku të jashtëzakonshëm.
Nata e 4 Dhjetorit do të çelë siparin e festivalit historik, që ka bërë traditë në kulturën muzikore Shqiptare.
Mbrëmja e sotme do të jetë edhe nata e parë gjysmë finale, ku në skenë do të ngjiten 22 artistë të talentuar dhe emra të mirënjohur të muzikës shqiptare, 8 prej të cilëve në kategorinë “New Artist” dhe 14 në kategorinë “Big”.
Në hashtagun #musicistheanswer, muzika është përgjigja, edicioni i 24-tët i skenës magjike premton emocione, performanca të jashtëzakonshme dhe muzikë të mirë. Por gjatë tre netëve live nuk do të mungojnë ethet për artistët e rinj, që do të duhet të bindin jurinë prej 5 anëtarëve për të kaluar në natën finale dhe për artistët “Big”, që do të duhet të sjellin në skenë gjithë bagazhin emocional dhe artistik për çmimin e madh.
“Kënga Magjike 2024” është një nga edicionet me më shumë larmi rrymash muzikore: me baladat e dashurisë, me rryma elektronike, techno, drum and bass, pop rock, ku i këndohet dashurisë, forcës së gruas, rebelizmit dhe shpresës.
Mjeshtri i madh i skenës Gaetano Castelli shënon bashkëpunimin në 15 edicione të festivalit, duke i dhuruar me skenografitë e tij mahnitëse, magjinë që i takon “Kënga Magjike”.
Producenti dhe moderatori i Këngës Magjike, Ardit Gjebrea, ashtu siç është bërë traditë në këtë edicion, do të ketë në krah dy bashkëprezantuese, gazetaren Matilda Mcini, në natën e parë, balerinën Selin Bollati, në natën e dytë gjysmëfinale dhe të shtunën në finalen e madhe në skenë do të jenë të tre bashkë.
Ashtu siç ka ndodhur në çdo edicion, edhe sonte, nesër dhe të shtunën, “Kënga Magjike”, premton shumë surpriza, që publiku ka mundësinë t’i ndjekë live nga Pallati i Koncerteve dhe drejtpërsëdrejti në ekranin e Televizion Klan./ tvklan/ KultPlus.com