8 Mars, 2018 - 3:19 pm
Gili Hoxhaj
Të gjithë ata që e duan kulturën dhe gjuhën franceze, këtë mund ta përjetojnë më afër se kurrë përmes “Javëve të Frankofonisë”. Mbrëmë nisi rrugëtimi tri javor i edicionit të 18-të të Frankofonisë, shkruan KultPlus.
“Javët e Frankofonisë” i sjellin vendeve të Kosovës një gjallëri frankofone. Tri “Javët e Frankofonisë” përmbajnë një shumëllojshmëri ngjarjesh si koncerte, shfaqje filmash, aktivitete gastronomike, konferenca dhe aktivitete për të rinj.
Që në mbrëmjen e parë u dëshmua se tradita e këtij organizimi ka ngjallur shumë dashuri në Kosovë, pasi që kjo mbrëmje kishte mbledhur plot mysafir e që u përkisnin moshave e nacionaliteteve të ndryshme. Pak para se të filloi koncerti, mysafirët qëndruan në hollin e Teatrit “Oda”, ku adresoheshin drejt shtandeve me materiale promovuese nga vendet frankofone që veprojnë në Kosovë.
Agathe Bouchet, përgjegjëse për bashkëpunim universitar në Ambasadën e Francës ishte ajo që uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve ndërsa falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët qëpo e përkrahin organizimin e këtij edicioni të Javëve të Frankofonisë.
Elsa Hyseni nga Prishtina ishte ajo që u ngjit e para në skenën e teatrit, prej nga dhuroi një interpretim të mahnitshëm të këngës së njohur “Padam Padam”, për të vazhduar edhe me dy këngë të tjera. Koncertimë pas u shoqërua me një koktej të përgatitur nga restoranti francez Le Bouchon dhe birra belge.
Kësisoj kur në skenë u ngjit këngëtari francez Charles Baptiste dukej sikur mori me vete tërë audiencën që ishte dhënë pas muzikës e vallëzimit të lehtë. Ky artist për rreth një orë e mbajti publikun me vallëzim, derisa herë pas herë edhe komunikonte me ta. “Katër, tre, dy, një” , numëronte këngëtari para se të fillonte këngën e parë. Derisa publiku i Kosovës, njoftohet më së miri me këngët e kulturën frankofone përmes këtij e aktiviteteve të tjera të këtij organizimiedhe ky këngëtar francez kishte njohur Kosovën përmes dy këngëtareve nga ky vend. Pas këngës së parë, ai publikut i dhuroi krenarinë përmes dy emrave, dy ambasadoreve më të mira të Kosovës: Dua Lipa dhe Rita Ora. Mes këngëve, ai shpesh u drejtohej publikut me fjalë në gjuhën shqipe si “Ku janë tërinjtë” dhe “Ku janë të vjetërit”.
Për artistin Charles Baptiste, kjo ishte hera e dytë në Prishtinë, ndërsa tregoi se aq shumë ishte kënaqur vitin e kaluar me publikun prishtinas, sa që Ambasada franceze i kishte kërkuar atij qëpërsëri të vijë në Kosovë. Ai tha për KultPlus se ndihet i kënaqur me reagimin dhe energjinë e publikut këtu.
“E dua Prishtinën, mendoj se ka një energji të mahnitshme. Pas kohëve të errëta ndodhin gjithmonë gjera pozitive dhe me këtë energji Kosova duhet të ecën përpara në një të ardhme më të ndritur. Ndihem shumë i lumtur që performova këtu dhe kjo ishte një natë e mrekullueshme”, u shpreh këngëtari Charles Baptiste ndërsa tha shpreson që edhe këngëtaret nga Kosova, të shkojnë dhe ta dëshmojnë veten në Francë.
Elsa Hyseni që është edhe studente e gjuhës frënge, u ngjit në skenë për të dytën herë për të interpretuar së bashku më këngëtarin Baptiste që kishte ardhur mbrëmë. Ajo tregoi për KultPlus se ishte ndierë mjaft e emocionuar qëmbrëmë për herë të parë interpretoi pranë një publiku kaq të madh.
“Është hera e parë për mua që marr pjesë në një ngjarje që përfshin kaq shumë njerëz këtu në Prishtinë por ka qenë kënaqësi shumë e madhe për mua, e veçmas që të performoj me këngëtarin Charles Baptise”, tregoi këngëtarja Elsa Hyseni.
Ajo për KultPlus tregoi edhe lidhjen e saj me gjuhën dhe kulturën frënge dhe dëshirën e saj që këtë ta transmetoj edhe në Kosovë.
“Muzika i bashkon të gjitha gjuhët dhe të ngjallë emocion por unë gjuhën frënge e kam shumë për zemër pasi që edhe kam jetuar në Francë për dy vjet e gjysmë prej nga edhe e kam parë kulturën atje dhe kjo është arsyeja përse dua ta transmetoj edhe në Kosovë këtë pasuri”, tregoi Elsa.
Valon Ibraj, zyrtar për kulturë në Ambasadën Franceze tha se deri më tani ndihet i kënaqur me organizimin, e veçmas me këtë mbrëmje që është pritur shumë mirë nga publiku. Ai po ashtu tha se interesimi për “Javët e Frankofonisë” vazhdimisht është në rritje dhe kjo nënkupton që Kosova ështëçdo ditë e më afër Frankofonisë.
“Deri më tani i gjithë procesi ka shkuar në rregull, duke filluar nga konferenca që kemi mbajtur ku kanë marrë pjesë ambasadorët e shteteve frankofone që jetojnë këtu në Kosovë. Ne jemi të kënaqur me organizimi dhe me pjesëmarrjen e audiencës ndërsa ky është vetëm fillim pasi që nga nesër do të kemi edhe aktivitete të tjera” u shpreh Ibraj, ndërsa ai po ashtu shtoi se është shumë mirë që Kosova edhe pse është vetëm një anëtare vëzhguese e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ajo çdo ditë e më tepër po e ndjenë veten si anëtare e Frankofonisë.
“Javët e Frankofonisë” organizohen nga ambasadat dhe përfaqësuesit diplomatikë të Belgjikës, Kanadasë, Francës, Luksemburgut, Republikës Çeke dhe Zvicrës, anëtarëve të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe Aleancën Franceze të Prishtinës, po ashtu së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.
Edicioni i 18-të i “Javëve të Frankofonisë 2018” do të zgjasë deri më 31 mars. Dita e sotme, 8 marsi do i kushtohet gruas. Do të mbahet një konferencë me temën: Të drejtat pronësore të grave në Kosovë: Trashëgimia dhe barazia para ligjit dhe shfaqje teatrore me temën e grave pioniere. Aktivitet këtë vit do të zhvillohen në Prishtinë, Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe Vushtrri. / KultPlus.com