29 Mars, 2018 - 4:40 pm
Ka vetëm disa ditë që është publikuar videoklipi i këngës ‘Mall’ nga Eugent Bushpepa, por tashmë kjo këngë ka marrë mbi 84 mijë klikime në Youtube, shkruan KultPlus.
Në kanalin zyrtar të Eurovizionit në Youtube është publikuar kënga ‘Mall’, këngë kjo e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2018, gara e fuqishme e muzikës moderne evropiane.
Komentet të cilat kanë ardhur nga dëgjuesit e këngës janë pozitive. Disave prej tyre iu kanë lënë përshtypje edhe kostumet të cilat shfaqen në videoklip, me elemente kombëtare. Mirëpo ka edhe të tillë të cilët mendojnë se Shqipëria nënvlerësohet nga votuesit e kësaj gare.
“Njerëzit çdo herë janë ankuar se Shqipëria po dërgon vajza të cilat brohorasin pasi që ato kapin nota të larta në garë. Kësaj radhë Shqipëria ka ardhur me diçka krejtësisht tjetër por përsëri njerëzit nuk po e vlerësojnë këtë”, është komenti i i cili ka ardhur nga një ndjekës i garës nga Kroacia.
Dje ka filluar edhe votimi i OGAE – grupeve të fansave të organizuar të Eurovizionit nëpër Evropë. Secili shtet kësisoj deri në ditët kur mbahet Eurovizioni dërgon votat zyrtare dhe në fund shihet lista e OGAE.
Deri sot, dy shtete kanë dërguar votat e tyre, dhe asnjë votë nuk shkon për Shqipërinë.
Votimi OGAE deri sot:
Israeli / 24 pikë
Republika Çeke / 12 pikë
Suedia / 12 pikë
Megjithatë, kënga italiane me këngëtarin shqiptar Ermal Meta ka marrë gjashtë pikë, ndërsa kënga e Qipros kënduar nga tjetra shqiptare, Eleni Foureira, ka vetëm një pikë.
Data 8 maj do të jetë dita kur Eugent Bushpepa do të performojë në natën e parë të festivalit EUROVIZION, për të provuar kualifikimin në finale. / KultPlus.com