9 Tetor, 2020 - 3:50 pm
Artisti Christoph Koncz beson se instrumentet nuk duhet të mbeten në muze për t’u ruajtur si kujtim nga artistët por të luhen. Kësisoj, ai ka filluar të performojë me violinën e Mozartit dhe t’i incizojë koncertet në të cilat performon ai vetë veprat e kompozitorit të famshëm botëror, shkruan The Guardian, përcjellë KultPlus.
Kur për herë të parë guxoi të pyeste mbajtësit e violinës së Wolfgang Amadeus Mozart nëse mund t’iu lejohej ta provonte, Christoph Koncz nuk e kishte idenë se ku do ta çonte pyetja.
“Çuditërisht ata më lanë vetëm me të në një dhomë në shtëpinë e tij të lindjes dhe mbyllën derën. E kam luajtur pa ndërprerje për disa orë ”, tha muzikanti. Ishte një moment i lumtur, një zgjim. Jam goxha i bindur se askush pas Mozartit s’ka kaluar kaq shumë kohë në të. ”
Sa herë që e ka marrë violinën në duar, Koncz thoshte se ndjehej sikur po bënte një bisedë me Mozart nga 250 vite largësi. Tetë vjet nga ky takim fillestar dhe pas qindra orëve të praktikës në të, Koncz tani ka realizuar incizimin e parë të koncerteve të violinës së Mozartit në instrumentin në të cilin ai kompozoi dhe performoi ato në mes të viteve 1773 dhe 1775.
Muzikanti austriako-hungarez 33-vjeçar, Christoph Koncz, i cili filloi të luante në moshën katër vjeçare, është gjithashtu një solist dhe dirigjent i respektuar si dhe ishte violinisti i dytë i Filarmonisë së Vjenës. Ai do të interpretojë koncertet në violinë me ansamblin e instrumenteve të periudhës Franceze “Les Musiciens du Louvre”, në sallën e madhe të Fondacionit “Mozarteum” në Salzburg, nën vrojtim e vazhdueshëm të dy truprojave të muzeut ku rri violina.
Në fillim, Koncz tregon se druri i violinës ishte shumë i ngurtë për shkak që askush s’kishe luajtur në të për shumë vite me radhë. Mirëpo me kalimin e kohës në të, tingulli kishte filluar të normalizohej.
“Është një instrument i muzeut, por ne muzikantët besojmë se një instrument ka vetëm një qëllim: të luhet. Më kanë lejuar ta sjell përsëri të gjallë”, ka thënë muzikanti Koncz.
Incizimet e realizuara nga ai, ishin jetike për të ndarë diçka shumë afër asaj që Mozart do të kishte dëgjuar. “Ata e marrin këtë tingull, të cilin përndryshe vetëm disa njerëz do ta dëgjonin, përtej sallës së koncertit. Unë marr frymëzim të madh nga fakti që tingulli që prodhoj në violinë është ndoshta shumë i ngjashëm me diçka që Mozart e dëgjoi në veshin e tij. Dhe tani ne jemi në gjendje ta përhapim atë tingull anembanë globit – është më i afërti që do të arrijmë ndonjëherë te vetë Mozarti”.
Koncz tha se ishte për t’u habitur që pjesët kryesore të violinës së Mozartit ishin të gjitha në gjendjen e tyre origjinale.
“Për shkak të shoqërimit të Mozartit me të, ai u njoh herët se sa i çmuar është ky instrument dhe askush nuk guxoi ta ndryshonte atë”, tha Koncz, i cili ka kryer kërkime të gjera për origjinën e tij, duke përfshirë prejardhjen e tij.
Kjo violinë iu kishte dhënë Mozartit nga babai i tij dhe ai kishte filluar të luaj në moshën 13 vjeçare.
Violina kaloi nga Mozart tek motra e tij Nannerl, e cila më vonë ia shet atë njërit prej nxënësve të saj, i cili gjithashtu vdiq i ri. Pronarët e tij të mëvonshëm përfshinin një mësues violine dhe një farmacist, para se të blihej nga “Mozarteum”, fondacioni kryesor i kushtuar ruajtjes së trashëgimisë së muzikantit, në 1956./KultPlus.com