21 Janar, 2025 - 8:23 pm
Nga Albert Vataj
Zemra e madhe ishte mësuesi i vërtetë në artin dramatik të këngëtares së famshme italiane, Giuditta Angiola Maria Costanza Pasta (26 Tetor 1797 -1 prill 1865). Pa atë shpirt mëkuar bekimesh mirësie, dhe zërin e saj virtuoz, ajo nuk do të rritej në shtatoren e lavdisë dhe përjetësohej në kujtesën e kohës. Episodet nga jeta e saj tregojnë për bujarinë dhe shpirtin e mirë.
Një pasdite të kthjellët, gjatë një shëtitjeje përgjatë bregut të Triestes, Giuditta Pasta, këngëtarja e madhe e operës, u ndal papritur kur iu afrua një vajzë e vogël, rreth katër a pesë vjeçe. Vajza, e veshur me rroba të grisura, shtriu dorën dhe i foli me një zë të dridhur, por të mbushur me dinjitet:
“Më ndihmoni, zonjë, për nënën time. Ajo është e verbër dhe nuk mund të kujdeset për ne.”
Pasta mbeti e ngrirë për një çast, sikur fjalët e vajzës kishin depërtuar përtej dëgjimit, drejt zemrës së saj. Ajo e vështroi fëmijën dhe, në atë çast, pa më shumë se një vajzë të vogël që kërkonte lëmoshë. Ajo pa një botë të tërë vuajtjesh: nënën e saj të verbër, një dhomë të ftohtë dhe të varfër, netët e gjata pa ngrohje dhe mungesën e ushqimit.
Sytë e Pasta-s u mbushën me lot. Pa thënë asgjë, ajo zgjati duart dhe i dha vajzës gjithçka kishte me vete – monedha, bizhuteri, gjithçka që mund të kishte vlerë.
Shokët e saj, të cilët po e shoqëronin në këtë shëtitje, mbetën të shtangur nga ky gjest i papritur. Njëri prej tyre guxoi të pyeste:
“Giuditta, pse gjithë kjo zemërgjerësi? Vajza ishte vetëm një lypëse.”
Pasta, ende e prekur, iu përgjigj me një ton solemn:
“Fëmija nuk më kërkoi vetëm lëmoshë. Ajo më foli me një madhështi që s’e kam dëgjuar kurrë më parë, as në skenat më dramatike. Në sytë dhe zërin e saj ishte gjithë dhimbja e botës, por edhe një forcë që e bënte të pamundur të mos përgjigjesha. Nëse do të mund të arrija një theks të tillë dramatik, do të isha një artiste edhe më e madhe.”
Ky episod mbeti si një kujtim i përjetshëm i thellësisë së shpirtit të Giuditta Pasta, një grua që jo vetëm e jetonte artin, por e gjente atë edhe në dhimbjen dhe forcën e njerëzve të zakonshëm.
Kjo anekdotë mbeti emblematike për Giuditta Pasta, një nga këngëtaret më të mëdha operistike të shekullit të 19-të, është një episod që shpesh përmendet për të ilustruar ndjeshmërinë dhe humanizmin e saj të thellë. Pasta, e njohur jo vetëm për zërin e saj të jashtëzakonshëm, por edhe për aftësinë e saj dramatike, duket se e ka vlerësuar emocionin dhe shpirtin e pastër të vajzës së vogël, që përmes thjeshtësisë dhe dhimbjes së saj, arriti të shprehë një patos të papërsëritshëm./ KultPlus.com