11 Shtator, 2024 - 2:39 pm
Pas përvojës së gjatë me gazetarinë e kulturës e me theks të veçantë atë të muzikologjisë jo vetëm shqiptare, por edhe të huaj, kompozitori Sami Piraj ka mbledhur disa nga shkrimet e tij me ndikim dhe i ka botuar ditë më parë në librin “Jeta muzikore në Kosovë 1990 – 1999, periudha e deinstitucionalizimit” të cilën Biblioteka e Prishtinës “Hivzi Sulejmani” e kishte zgjedhur për ta paraqitur para publikut të kryeqytetit.
Përveç këtij libri, po kështu, ditë më parë u publikua edhe vepra tjetër e Pirajt “Imazhe Muzikore”.
Publikimi i këtyre librave kishte mbledhur auditor të zgjedhur të cilët përcollën një video të punuar enkas për këtë ngjarje me disa nga punimet e shquara të publicist Piraj.
Drejtoresha e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” Naime Beqiraj e cilësoi Pirajn si kronikan dhe zë kritik i cili për rreth 40 vite, përveç si kompozitor është shquar në qenësinë kulturore shqiptare me shkrimet e tij analitike në fushat e të gjitha zhanreve të muzikës.
Samiu u zhvillua si publicist në Rilindjen e viteve ’80, asokohe kur mediumi i vetëm ditor i Kosovës pasurohej çdo dite me vlerësime kritike e shkrime të përzgjedhura të pjesëtareve të saj, emra te shquar të letërsisë dhe kulturës shqipe si: Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Mehmet Kraja, Binak Kelmendi, Ramadan Musliu, Ibrahim Berisha, Xhemail Mustafa, Abdullah Konushevci, Gani Mehmetaj, Jusuf Buxhovi, etj.
Për veprat refruan edhe figura të njohura të fushës së muzikës, duke e cilësuar si kontribut në fushën informimit të kësaj periudhe dhe literaturës së gjinisë së këngës përcjellë me piano.
Periudha e viteve 1990- 1999, cilësohet si periudhë e errët në të gjitha sferat e jetës për shqiptarët në Kosovë. Pas aplikimit të masave të dhunshme në institucionet kulturore, arsimore, informative dhe përgjithësisht në të gjitha fushat e jetës te ne, u krijuan rrethana dhe kushte të vështira për shqiptarët. Shuarja e institucioneve dhe dëbimi masiv i shqiptarëve nga vendet e punës, rezultojë me vështirësi shumë të theksuara në jetën e përgjithshme. Informimi u vështirësua shumë, pas mbylljes së Radiotelevizionit të Prishtinës, gazetës “Rilindja”, duke u mbyllur një dritare e rëndësishme kulturore e informative.
Kjo ishte temë e trajtimit të panelistëve: Ahmet Bella muzikolog nga Malmo e Suedisë, Elife Podvorica – Jashari – profesoreshë e solokëndimit, Kushtrim Jakupi – etnomuzikolog dhe Visar Munishi – etnomuzikolog, duke iu referuar shkrimeve të botuara në gazetën e atëhershme “Bujku”.
Trajtimi i deinstitucionalizimit të jetës muzikore, që rrodhi nga shkrimet e botuara në gazetën “Bujku” të autorit Sami Piraj, gazetar i rubrikës dhe kulturës në të përditshmen “Rilindja”, u cilësua si kontribut relevant në informimin e asaj periudhe dhe dokumentimin e ngjarjeve në librin “Jeta Muzikore 1990-1999..”.
Kurse libri tjetër “Imazhe Muzikore” paraqet poashtu një kontribut në sferën e pjesëve të kompozuara në periudhat e ndryshme kohore e që gjithsesi e pasurojnë literaturën muzikore të formave kamertale./ KultPlus.com