30 Qershor, 2020 - 2:20 pm
Kolonat zanore nga epoka e artë e kinematografisë italiane, vihen në dispozicionin e gjeneratave të reja të adhuruesve të filmit dhe muzikës, falë një marrëveshjeje të re ndërmjet studiove “Universal Music Group” dhe “Sugar”, që është studioja kryesore e pavarur në Itali.
Më shumë se 2 mijë kolona zanore historike nga filma të tillë si ata të Federico Fellinit, “La Dolce Vita” dhe “Amarcord” dhe filmi i Luchino Viscontes, “Il Gattopardo”, përfshirë edhe këngë të realizuara nga kompozitorë të famshëm siç është, do të rivendosen në dispozicionin e publikut dhe do të shpërndahen përmes kompanisë incizuese, “Decca Records”, transmeton Koha.
Në bazë të kësaj marrëveshje, “UMG Italy” po ashtu do të shpërndajë muzikë nga lista e artistëve bashkëkohor të labelit “Sugar”, përfshirë këtu një prej bendeve më të njohur të muzikës pop në Itali, “Negramaro” dhe artisti i muzikës pop dhe jazz, Raphael Gualazzi.
“Krijimi i një zgjidhjeje unike të distribuimit mbarë botërorë të muzikës së kompanisë incizuese ‘Sugar’, është një hap vërtetë i rëndësishëm dhe mezi po presim ta shtrijmë shikueshmërinë tonë edhe në territore të reja,” ka deklaruar Filippo Sugar, kryeshef ekzekutiv i kompanisë 88-vjeçare të muzikës në Itali.
Studiot “Universal” dhe “Sugar”, në të kaluarën kanë bashkëpunuar edhe në disa projekte tjera, përfshirë këtu performancën e transmetuar live të tenorit italian, Andrea Bocelli, nga katedralja e zbrazët “Duomo” në Milano, në mes të pandemisë së koronavirusit e cila atëkohë e kishte goditur më së shumti Italinë. / KultPlus.com