2 Shtator, 2018 - 10:34 am
Pianistja Indira Çipa është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Me Prof.Indira Çipa e cila na u bashkua në Lëvizje erdhëm bashkë në EtnoFest në Kukaj, i cili u hap mbrëmë me ekspozitat e veprave të dy artistëve tanë të mëdhenj Simon Shirokës dhe Rexhep Ferrit. Znj. Indira Çipa vjen nga qyteti i Prizrenit, ku ka mbaruar shkollën fillore e të mesme, për t’i vazhduar studimet universitare për muzikë në drejtimin e pianos në Prishtinë, magjistraturën në Shkup ndërkaq tash është në përfundim të doktoraturës në Tiranë, mbi veprat pianistike të kompozitorit Zeqirja Ballata”, ka shkruar Kurti.
“Ka botuar dy libra dhe dhjetëra punime shkencore. Anëtarësimi i Prof. Indirës në VETËVENDOSJE! na bën nder, përbën vlerë dhe na sjell dobi. Edicioni i tetë i EtnoFestit i cili zgjat pesë ditë mbrëmë vazhdoi me një videoinstalacion të inspiruar nga Samuel Beckett dhe me koncert të këngëtares Nezafete Shala”, ka vazhduar ai. / KultPlus.com