Një tregim ndryshe nga Hana Cakuli, vajza e kopshtit, fluturimit e shërimit

17 Gusht, 2020 - 8:03 pm

Arbër Selmani

“Muzikën e kam dashtë që e vogël, nuk e di as vetë saktë prej kur. Në moshën 5 a 6 vjeçare kam bërë programe në shtëpi, këndoja, kërceja, dilja para publikut – që ishte familja, dhe ata ishin të detyruar të më shikonin e të ishin audienca ime. Që atëherë kam pasë idhuj të ndryshëm që i kam imituar, e më së shumti më ka pëlqyer Mariah Carey e cila ende për mua vazhdon të jetë vokali më mbresëlënës. Bile, në një kohë gjatë moshës 6 vjeçare, me motrat dhe dy vajzat e hallës e kemi pasur bendin ‘Eyez’. Bënim kësisoj prova kërcimi dhe performonim në koncerte të cilat i organizonim vetë në oborrin e shtëpisë, shoqëria e lagjes na vinte si audiencë”.

Vite më vonë, po e njëjta vajzë do të rritej e do të ishte kryefjala e disa krijimeve të arritura muzikore të cilat sot mbesin në historinë e muzikës shqiptare. Nëse i dini këngët ‘U shërova’, ‘Çka do t’iu themi nënave’, ‘Simbol’, ‘Kopshti’, ‘Dashuria e fatit tim’, ‘Mendoj të fluturoj’, e dini se është Hana Cakuli, ajo e cila në këtë rrëfim na tregon për jetën e saj dhe për muzikën, dashurinë e saj të madhe.

Hana Cakuli është nga ato këngëtaret për të cilat thuhet se ka një zë kristal, të pastër. Shpirti humbet thellë në oqeanin ku Hana lëshon zë, dritë.

Në këngët e saj, dëgjon me vëmendje, dhe e vëren që secila notë ka marrë shtrirjen e duhur dhe secila fjalë është copë e vogël që e ndërton monumentin në fund, mrekullinë e quajtur këngë. Poezive, Hana u ka dhënë melodi, e melodive u ka lënë porosi të shtegëtojnë kudo ku flitet shqipja.

Hanës i kanë takuar plot këngë, të cilët ajo me bashkëpunëtorët e saj dikur na i solli të përthekuara, të kompletuara.

*

“Nga ana e mamit, kam familjen Macula, të cilët kanë plot muzikantë që kanë vepruar e veprojnë në Kosovë dhe jashtë saj. Këtu mund ta përmend atë që ndoshta e njihni më mirë, kitaristin Faton Macula, i cili jeton në Amerikë. Prindërit i kemi kushërinj, dhe mendoj se nga ata i kam gjenet e muzikës” më tregon tutje Hana Cakuli.

Në moshën 13 vjeçare, Hana – me origjinë nga Mali i Zi, do ta incizonte këngën e parë. Kënga ‘Eja’, thotë Hana, erdhi me një zë të formuar. Kënga transmetohej në radiostacionet e Ulqinit. Po mbi këtë zë Hana solli edhe dy këngët e radhës, si 16 e 17 vjeçare. “Natën kaloje me ne”, Hana e këndoi si 16 vjeçare në festivalin Top Fest në Shqipëri ndërsa një vit më vonë ajo e publikoi videoklipin e saj të parë, këngën “Mendoj të fluturoj”. Hana po merrte formë dhe njerëzit e gjeneratës po fillonin ta mësonin emrin e mbiemrin e saj, duke e lidhur gjithmonë me pasazhet domethënëse të këngëve të saj.

Nëpër vitet që do të pasonin, Hana do të kërcente nga një këngë në tjetrën, nga një festival tek tjetri, por gjithmonë me shumë siguri që asnjë këngë të mos binte më poshtë se standardi i krijuar prej saj. Çmimet që i erdhën më pas, dhe afërsia e publikut, ngadalë do ta vendosnin Hanën në mesin e këngëtarëve më të mirë dhe aktivë të cilët krijuan rreth viteve 2007 – 2012.

“Secila këngë që e kam incizuar e ka një vend të veçantë në zemrën time. Secila e përfaqëson  një periudhë specifike të jetës sime. Pos kësaj, secila e ka një autor apo kompozitor e producent të ndryshëm. Pothuajse me çdo këngë kam pasur bashkëpunëtorët e ndryshëm. Kam bashkëpunuar me emra e artistë të mëdhenj shqiptarë si Armend Rexhepagiqi, Aida Baraku, Florent Boshnjaku, Pirro Çako, Genti Lako, Kastro Zizo, Visar Kuçi, Kushtrim Hoxha, Flori Mumajesi e të tjerë” tregon Hana, kur unë e pyes për këngët e saja dhe ndoshta për një më të dashur, të cilën mund ta veçojë nga të tjerat. Këngët janë si fëmijët, problem të ndahen.

“Mund ta veçoj një këngë, duke qenë se është më sfiduesja për ta interpretuar, i ka harmonitë dhe kalimet shumë të bukura. Ajo është ‘Çka do t’iu themi nënave’, të cilën e kanë shkruar Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku dhe e ka prodhuar Florent Boshnjaku. Ashtu siç është shprehur edhe Armendi për këtë këngë, e ka qëndisur enkas për mua. Mendoj se i flen shumë vokalit tim dhe i nxjerrë në pah aftësitë e mia të këndimit më shumë se këngët tjera. Nga ana tjetër, këngët “U shërova” dhe “Simbol” janë dy prej hiteve më të mëdha, të cilat publiku i do shumë. Secila e ka mesazhin, kohën dhe vendin e vet” vazhdon Hana.

*

Hana Cakuli i takon një plejade artistësh e muzikantësh të cilët i dhanë një frymë tjetër muzikës pop, rnb e asaj zbavitëse. Këngët zbavitnin, por më shumë i jepnin vulë kohës, nostalgjisë, retrospektivës, aktualitetit, problemeve, thyerjeve e ngjitjeve. Hana, bashkë me emra të tjerë të asaj kohe, sfidonin muzikën komerciale në Kosovë gjithmonë duke sjellë besnikshëm këngë që i rezistojnë kohës, por asnjëherë nuk marrin vëmendjen e të gjithëve. Sepse këngët e Hana Cakulit, dhe zërat si ajo, janë ëmbëlsira e vetëm disa shijeve të stërholla muzikore.

Hana, me jo shumë këngë dhe vite në skenë, do të triumfonte edhe në festivale e organizime të ndryshme muzikore. Në festivalin e muzikës moderne Top Fest në Shqipëri, ajo do të shpërblehej disa herë. Me ‘Çka do t’iu themi nënave’ ajo fiton çmimin për këngën më të mirë të festivalit në vitin 2008, ndërsa në të njëjtin festival ka sjellë edhe këngët ‘Natën kaloje me ne’, ‘Dashuria e fatit tim’ dhe ‘Ëndrrat s’ndalen kurrë”.  jë vit më herët, në vitin 2007, me këngën ‘U shërova’ triumfon në festivalin Kënga Magjike, duke marrë çmimin për këngën me melodinë më të mirë.

Më vonë Hana merr çmim edhe në festivalin Zambaku i Prizrenit. Projekti i saj i fundit muzikor, ‘Kopshti’ – këngë në bashkëpunim me Kushtrim Hoxhën, është një prej himneve muzikore shqiptare.

“Muzika për mua është meditimi më i mirë. Në momentin që performoj, çdo gjë në botë ka kuptim. Jeta i ka të mirat dhe vështirësitë e veta, e muzika është ajo përmes së cilës mund të shprehem, të ndihem se jam aty ku takoj dhe mënyra më e mirë për t’u lidhur edhe me tjerët, me publikun. Një botë pa muzikë për mua do të ishte shumë monotone. Muzika na bashkon, jo vetëm me njerëzit që i njohim, por edhe me njerëzit të cilët nuk e dijmë se ekzistojnë. Fakti që unë këndoj dhe kënga ime arrin tek dëgjuesit në mbarë botën, më bën të ndihem e lidhur me ta. Dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Muzika është e jashtëzakonshme. Fantastike” më thotë Hana.

Hana ka disa vite që jeton në Gjermani, dhe muzikës e skenës në Kosovë e Shqipëri e kudo ku flitet shqip i është larguar për pak, duke i munguar shumë. Hana ka pauzuar nga paraqitjet në skenat shqiptare, por thotë se në Gjermani po vazhdon të mishërohet me muzikën.

“Unë tashmë 7 vite jetoj në Mynih të Gjermanisë dhe atje kam krijuar bendin Unibeat, me të cilin paraqitem në ngjarje të ndryshme në Gjermani, kryesisht me covers të këngëve tjera në anglisht, gjermanisht, italisht e gjuhë tjerë. Një arsye tjetër pse nuk më del koha të jem edhe në skenën gjermane e poashtu edhe atë shqiptare është se jam bërë nënë e dy vajzave binjake, të cilave ua kushtoj një pjesë të madhe të kohës. Përveç kësaj, punoj me orar të plot në Amazon, por kjo nuk do të thotë që nuk do të rikthehem në muzikën dhe publikun shqiptare” tregon Hana Cakuli.

*

“Më herët e përmenda Mariah Carey. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë vokali që më inspiron më së shumti. Pastaj, kam mjaft tjerë që më kanë influencuar: Whitney Houston, Beyonce, Norah Jones, Ella Fitzgerald, etj. Nga të rinjtë më pelqejnë shumë Sam Smith, James Arthur, Ed Sheeran. Lista është e pafund e këngëtarëve e këngëve që më pëlqejnë e inspirojnë të jem këngetare më e mirë çdo herë”.

Hana vazhdon me muzikë, në Gjermani, dhe po ta dëgjosh edhe sot e kupton që nuk ka humbur as edhe një atom i vogël i magjisë së zërit të saj të dikurshëm. Hana sot transmeton emocione edhe në Gjermani, së shpejti edhe në trojet shqiptare.

Hana, e lindur në vitin 1989, e përfundoi shkollën fillore “Marshal Tito” në Ulqin, shkollën e mesme për tre vite në Gjimnazin “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, për të vijuar vitin e fundit të shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë. Ka kryer Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK). Me ardhjen në Prishtinë, ajo do të shpërthente, për ta kanalizuar sot më shumë energjinë e saj në tregun gjerman.

“Plani është të vazhdoj të provoj në tregun gjerman. Njëkohësisht, do të rikthehem edhe në tregun shqiptar, si me këngë ashtu edhe me ndonjë koncert. Ëndrrat e dëshirat për muzikën nuk kanë fund. Është thjeshtë çështje kohe dhe angazhimi që ato të realizohen. Shpresoj që çdo herë të kem më shumë inspirim të prodhoj muzikë të bukur” thotë Hana Cakuli.

*

Në fund të rrëfimit të Hanës, i cili megjithatë mbetet të shkruhet edhe pas shumë vitesh, flasim pak për muzikën shqiptare sot. Hana dhe shoqet e shokët e saj muzikantë të mesit të viteve 2000 sot janë ‘zhdukur’, janë larguar e distancuar pak nga muzika shqiptare për ta gjetur veten, apo për të mos e humbur e veten në lëmshin momental muzikor.

“Mendoj se ka ende muzikë të mirë dhe nga ana tjetër ka edhe muzikë inovative, në trend me kohën. Mendoj që në këtë të dytën kosovarët po bëjnë një punë të mirë. Ata që gjithmonë do të mbesin favoritët e mi janë Armend Rexhepagiqi e Aida Baraku dhe muzika që e bëjnë ata. Mendoj se edhe në një kohë kur muzika është e dominuar nga komercializmi, Armendi e Aida vazhdojnë të prodhojnë muzikë me vlerë, por njëkohesisht edhe bashkëkohore. Ky është një gërshetim shumë kreativ për mendimin tim” tregon Hana.

“Tregu muzikor shqiptar ka shumë artistë të talentuar. Mendoj se edhe shija e këtyre artistëve është e sofitikuar. Mbase një numër i vogël e ka këtë shije. Ose më mirë të them, edhe ata që e kanë shijen e mirë të muzikës, në qoftë se varen vetëm nga muzika, janë fatkeqësisht të detyruar të prodhojnë muzikë me më pak vlera se sa që do të kishin dëshirë. Por, ka shumë nga ata që e bëjnë muzikën komerciale me qef dhe me dëshirë për sa më shumë famë a para. Në fund të fundit, kjo është zgjedhje personale e secilit. Për këtë secili i ka arsyet e veta. Unë personalisht, nuk jetoj vetëm nga muzika, e prandaj ia lejoj vetes të prodhoj muzikë më rrallë, por duke i matur mirë e mirë fjalët e notat që do të këndohen nga unë” rrëfen Hana Cakuli.

Këngët e Hanës përmbajnë disa prej teksteve më të mira në muzikën shqiptare, dhe këtë rrëfim do ta përfundojmë me një prej teksteve të këngëve të Hana Cakulit, deri në një takim tjetër kur Hana do të jetë edhe më e begatshme e diskografia e saj do të jetë më e plotë dhe e fuqishme në përbërjen e saj. Baza, ekzistenca e këngëve deri sot, është e mrekullueshme.

  • “Vdes, për dy gota nes
    si një ndërtesë e rëndë më ra kresë
    këtë mengjes, për vdekje qëlloi
    fjala e fundit
    si e plumbit
    nga buzët shpëtoi.
    e vend i vogël është ky,
    çdo kalimtar do të na ndalë….të pyes, per ne të dy”

(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)

Të ngjajshme