12 Tetor, 2018 - 4:14 pm
Violinisti i mirënjohur Florian Vlashi do të jetë të dielën protagonist, së bashku me violonçelisten Ruslana Prokopenko, në koncertin që organizohet në Madrid në kuadër të ciklit “Muzikë për Mijëvjeçarin e Tretë”.
Vepra violinistike “Ju duk se panë të flinte në të një shenjë”, të cilën kompozitori Hugo Gomez-Chao Porta ia ka kushtuar violinistit shqiptar, do të jetë premierë botërore në koncertin e 14 tetorit në kryeqytetin spanjoll.
Kompozitori Porta shkruan mbi pjesën se “ashtu si në një lëvizje me kamera të ngadaltë, apo një kokë që kthehet ngadalë për të parë në anën tjetër; kështu edhe kjo vepër e vogël përbën një lëvizje të vetme, të qetë dhe të vazhdueshme ndërmjet dy telave të violinës me tinguj që largohen pak nga njëri-tjetri dhe, në këtë rrugë distancimi, gjejnë pikat e tyre të takimit, gjejnë ndalesat e tyre. Si të ishte një dritë që ndizej pak nga pak në errësirë dhe vetëm në fund arrin të shndrisë”.
Florian Vlashi ka në repertorin e tij qindra pjesë të interpretuara si solist dhe dirigjent në Spanjë, ku jeton dhe punon në Orkestrën Sinfonike të Galicisë që nga viti 1992; po ashtu edhe në Durrës, në vendlindje, ku ka organizuar që nga viti 2003 tetë edicione të Bienales “Netët e Muzikës Klasike”.
Kompozitorë shqiptarë dhe të huaj si Edmond Buharaja, C. López García, J. Vara, X. De Paz, P. Pereiro, D. Malumbres, J. Durán, F. Buide del Real, Akil Koci, W. Rosinskij dhe Hugo Gomez-Chao Porta i kanë kushtuar veprat e tyre violinistit 55-vjeçar Florian Vlashi. /G.Kabashi/k.s/ /KultPlus.com