21 Prill, 2021 - 10:47 pm
Era Berisha
Shpalosja e ndërtimit unik dhe të detajuar deri në perfeksion të instrumentit muzikor inovativ bashkëkohor ‘Octo’, së bashku me tema të shumta eksploratore që ngërthehen në zejtarinë muzikore, në kuadër të ‘Magmus Fest’, në Kino Armata është publikuar libri i titulluar ‘Octo’ nga profesori Librun Jupolli, shkruan KultPlus.
Pasi dashamirësit e muzikës kishin zënë vendet e tyre së bashku me dritat e errëta që hijeshonin ambientin e Kino Armata, organizatorët po bëheshin gati për fillimin e promovimit të librit, i cili përfshin një periudhë 12 vjeçare mbi punën profesionale të Jupollit të inovacionit muzikor duke filluar nga përpjekjet e tij në ndërtimin e ‘protezave muzikore’ në vitin 2009, kur ai edhe e ka ëndërruar këtë koncept, e pastaj mekanizmin e titulluar “The Piano Backbone”, duke vazhduar me ‘dy pedale’ të reja për piano, finalizimin e ndërtimit të instrumentit nga Kosova në vitin 2010, që njëkohësisht është instrumenti i tij i parë inovativ dhe i cili konsiderohet i vetmi i atij lloji në botë, për të përfunduar me 4 instrumente tjera.
Përvoja 12 vjeçare e tij me inovacion muzikor, shkencë muzikore, inovacion në ndërtim të instrumenteve, shembuj të llojllojshëm me krahasime me më shumë se 20 instrumente të tjera me tela të Evropës/Afrikës/Azisë, klasifikimin e parë historiografik të instrumenteve në organologji të bazuar nga perspektiva e ndërtimit, llojet më të ndryshme të shkrimit muzikorë, teknikat e ndryshme kompozicionale moderne/post-moderne dhe elementet kompozicionale që mund të përdoren në ‘Octo’ dhe jo vetëm, janë shpalosur më së miri në këtë libër në një mënyrë të përpiktë të detajuar deri në perfeksionimin e fundit.
Ky libër vjen si produkt nga puna doktorate të cilën profesori e ka përfunduar vitin e kaluar në muajin dhjetor. Po ashtu, libri jo vetëm që tregon për përvojën e Jupollit nga eksperiencat personale dhe performancat e tij profesionale në instrumentin ‘Octo’ në më shumë se 15 shtete të Evropës, por përfshin edhe një numër të madh të kompozitorëve të ndryshëm që janë njoftuar me instrumentin dhe kanë pasur rastin ta shohin se si përdoret duke filluar të shkruajnë e të kontribuojnë për të.
Sipas Jupollit, në mesin e tyre ishin edhe instrumentistët e veçantë sic janë: Astrit Stafa dhe Visar Kuci, të cilët e përdorin në mënyrë të veçantë instrumentin. Ndërsa, Stafai është njëri ndër kontribuuesit më të mëdhenj të librit duke shpalosur shumë shembuj të ndryshme.
Libri ndahet në gjithsej 6 kapituj të cilat ndahen në segmente të shumta duke përfshirë një gamë të gjerë dhe informuese të temave të llojllojshme, duke filluar nga aspekte teknologjike-teknike të instrumentit, 3 sistemet të organizimit të ambitusit, format e ndryshme të instrumenteve shqipe ku ka formate të tjera se si është zhvilluar zejtaria me qafa të ndryshme, procedura e konceptualizimit të instrumentit, sistemi i akordimit, dizajnimi i qafës, referenca nga instrumente ekzistuese, teknikat e gishtërinjëve, interpretimet e shkallëve, akordet specfike komplekse, frazat komplekse, potenciometrat e instrumentit, kompozimi për ‘Octo’ në solo e deri tek përdorimet e ndryshme me ansamble të ndryshme nga folklori duke përfunduar në ato moderne.
Pastaj shqyrtohen edhe instrumentet hibride, instrumentet elektrike, instrumentet tonike, instrumentet elektro-akustike, instrumente digjitale dhe të gjitha format e tjera që lidhen me zhvillimin e ndërfaqeve muzikore. Po ashtu, përfshihet edhe rotacioni që konsiderohet shërbim ndaj studentëve që janë të interesuar për simbolet e ndryshme për shkrim mikrointervalorë por edhe ndaj kompozitorëve që ata të kanë të gatshme një skemë dhe një reference shumë të thjeshtë të përdorimit për të gjithë ambituset, në një mënyrë shumë të thjeshtë të secilit tel, si përdoren tingujt dhe si shënohen ato.
Pra i gjithë kapacitetit i instrumentit duke përfshirë atë tingullor dhe analogjik me efekte të veçanta dhe se si riprodhohen shkallët e ndryshme që tashmë janë përdorur në Evropë, duke futur këtu edhe mënyrën se si riprodhohet sistemi jonë në çifteli.
Jupolli në këtë promovim, përpos shpalosjes së gjithë trupit të instrumentit, ka përmendur edhe një rast të veçantë rreth zejtarisë muzikore ku për herë të parë një zejtar profesional do të sjellë kontributin e tij edhe tek ne.
“Një prej zejtarëve profesional nga Turqia që jeton në Mitrovicë, është duke kontribuar në servisimin dhe ndërtimin e shumë instrumenteve të ndryshme harkore duke punuar që ai të sjellë zejtarinë e profesionin e tij edhe tek ne. Ky do të jetë rasti i parë ku do të organizohet një ‘workshop’ i parë nga ai”, tregon Jupolli.
Për Jupollin, libri në mënyrë shumë të drejtpërdrejt ngërthen në vete një enciklopedi rreth informacionit muzikor dhe instrumentit ‘Octo’ i cili ka 8 dalje prandaj ky është një prej instrumenteve të vetme ku mund të krijohet një autogomi nga vetë instrumenti. Ndërsa sfida e veçantë e tij, mbetet edhe përgatitja e instrumentit që të ketë risi por edhe të mos jetë e komplikuar nga ana e aspekteve fizike që ndërlidhen me interpretimin e rëndësishëm.
Koncepti i dyfishtë i instrumentit ndërlidh 3 sisteme tingullore që përdoren, duke filluar nga gjysmëtoni ku pjesa e parë e qafës përfshin fushën e parë deri tek e shtata, sistemi i dytë fillon nga fusha e shtatë deri tek e dymbëdhjeta dhe sistemi i tretë nga e dymbëdhjeta deri në fushën e njëzetekatër. Ndërsa në një mënyrë proporcionale, ambitusi i instrumentit që është pesë oktava e gjysmë, përmban tre oktava e gjysmë në 3 sisteme që mund të riprodhohen për secilin sistem.
Veçantia e këtij instrumenti sipas Jupollit është edhe aspekti i pikëzimit që është mbajtur në mënyrë tradicionale që çdo instrumentist të ketë qasje në gjysmë tonin duke ruajtur sistemin tingullor të dëshiruar, pavarësisht shtesave mikrointervalore. Po ashtu, trupi i Octo-s është ndërtuar nga magneti i veçantë i formuar specfikisht në Kaliforni, nga një ndërtues shumë i veçantë i magneteve për instrumente elektronike, i cili ka formuar një ndarje të veçantë të sistemeve të tetë daljeve,
“Ne kemi menduar se si të kontrollohet tingëllima e secilit tel, përmes një sistemi me dy potencioneta që janë të vendosura një mbi një, ku njëri e kontrollon volumin ndërsa tjetri kontrollon tonin”, tregon Jupolli.
Ai tutje ka folur edhe për përgatitjen teknike që ky instrument përmban dhe për të cilin do të duhej një libër i tërë.
“Përgatitja teknike për këtë instrument mund të ketë një libër të veçantë sepse të dy aspektet që janë ngërthyer në këtë instrument janë vetëm hapi i parë, pavarësisht që kanë kaluar 12 vite, instrumenti kalon në një rrugëtim të gjatë derisa arrin në formën më të mirë. Edhe ‘Octo’ është duke kaluar në këtë rrugëtim”, shpreh Jupolli.
Dallimi i instrumentit ‘Octo’ nga instrumentet e tjera elektronike ndodh në momentin kur kyçet efekti në dalje, ajo hetohet nga ambitusi por në ‘Octo’ secila dalje ofron pavarësi të tingëllimës. Pra, instrumenti është cilësuar si një mundësi e përdorimit në mënyrë të pavarur për secilin tel që formon ngjyrë dhe timbër.
Pas përfundimit të promovimit të librit nga profesori Liburn Jupolli, të pranishmit patën rastin të diskutojnë rreth instrumentit dhe degëve diversive të llojit të tij.
“Magmus Fest” është organizuar nga shtëpia botuese MAGMUS në bashkëpunim me organizatën Raise Your Hand for Help, Komunën e Prishtinës dhe Kino ARMATA./ KultPlus.com