22 Gusht, 2023 - 12:22 pm
Një nga momentet e rëndësishme të kësaj vere përsa i përket muzikës elektronike, përfaqësimit ballkanik në skenën e techno-s dhe ndërthurjen me artin bashkëkohor i gjejmë në Berlin, javën e fundit të gushtit mes ‘Berlin Beats’ dhe një programi me artistë vendas në Gjermani të muzikës elektronike, por jo vetëm.
Më 26 gusht (ditën e shtunë), Oda Haliti, një ndër pioneret e muzikës elektronike në Ballkan, do të performojë në ditën më të rëndësishme të ‘Berlin Beats’ të ‘Hamburger Bahnhof’ në atë që quhet “Lange Nacht der Museen zu Berlin” (Nata e gjatë e muzeve) me një repertor të kuruar të muzikës industrial techno, breaks etj.
DJ Oda Haliti njihet ndër të tjera si performuese në shumë skena të rëndësishme evropiane të muzikës elektronike si dhe si nismëtare e një rryme alternative në vendin e saj. Pjesëmarrja në Berlin Beats shënon një tjetër sukses e parë kjo për nga rëndësia dhe emrat pjesëmarrës të mirënjohur botëror të programit, por edhe të qasjes që ka në mjediset e entuziastëve të kulturës. Në ‘Berlin Beats’ përveç emrave të njohur botëror siç janë: Ellen Allien, David August, Metaraph, Oda Haliti është e vetmja artiste jo-vendase që do të interpretojë në natën më të rëndësishme te vitit në Berlin, që pret një audiencë të jashtëzakonshme e adhurues të panumërt të artit dhe muzikës.
Oda Haliti do të performojë në hapësirën e jashtme të ‘Hamburger Bahnhof’, një nga muzetë më të vlerësuar e më të rëndësishëm të artit bashkëkohor në botë. Kjo ndërtesë është thellësisht e prekur nga ngjarje të ndryshme historike, që para dy shekujsh, duke qenë si fillim një stacion treni e sot është e vetmja ndërtesë e këtij tipi që mbart historinë me vete që prej shekullit të XIX.
Prej vitin 1996, tanimë bëhen rreth 27 vjet, ‘Hamburger Bahnhof’ ka marrë trajtën e një muzeu dhe sot është ndër hapësirat më me rëndësi në botë përsa i përket praktikave të artit bashkëkohor.
Kjo natë e festës së të gjithë muzeve në Gjermani, bëhet bashkë me muzikën e DJ Oda Halitit, në zemër të qendrës së artit dhe kulturës në Berlin. / KultPlus.com