5 Prill, 2023 - 2:45 pm
OneBeat Balkans pritet të sjell para jush një përjetim muzikor të jashtëzakonshëm në koncertin e datën 7 prill në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Në këtë koncert do të paraqiten 11 muzikantë nga Serbia, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe SHBA, të cilët janë bërë bashkë për të krijuar tinguj unikë që do të performohen para publikut për herë të parë. Si mysafirë special, OneBeat Balkans do t’i bashkohet edhe Visar Kuçi dhe Kori Okarina.
Këto ditë, grupi është mbledhur në Prishtinë ku edhe po bëjnë provat e fundit para koncertit dhe sot për vizitë ka shkuar edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier teksa ka kaluar disa qaste me artistët e madje edhe kanë bërë pak muzikë bashkë.
OneBeat Balkans është i përbërë nga etni të ndryshme, andaj ambasadori Hovenier ka thënë se është e qartë solidarizimi dhe partneriteti që mund të arrihet përmes muzikës.
“I lumtur t’ju uroj mirëseardhje në Kosovë. Mos e humbisni këtë koncert”, shprehet ambasadori.
Ky koncert i OneBeat Balkans do të mbahet më datë 7 prill, në ora 20:00 në skenën alternative të Teatrit Kombëtar te ish ASK. / KultPlus.com