5 Prill, 2023 - 1:30 pm
Opera “Carmina Burana”, e kompozitorit Carl Orff, erdhi mbrëmjen e djeshme për publikun artdashës në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Opera erdhi si bashkëpunim mes trupës artistike të TKOB-së dhe Filarmonisë së Kosovës, me Orkestrën Simfonike e Korin e TKOB, si dhe Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura, Konservatorin Shtetëror të Salernos “Giuseppe Martucci” dhe Korin e “Zërave të bardhë”, TKOB.
Ndërmjet viteve 1935 dhe 1936, kompozitori gjerman Carl Orff muzikën që kompozoi, e quajti Carmina Burana, në përmbledhje të 24 poemave “Carmina Burana”, të përfshira në një dorëshkrim të rëndësishëm të shekullit të trembëdhjetë.
“Carmina Burana” konsiderohet një ndër veprat e para klasike në historinë e muzikës. Në thirrjen “O Fortuna” ndaj perëndeshës së fatit shfaqet lutja për dashuri e fat. Rrota e fatit është simboli që përcakton uljet dhe ngritjet në jetën e njeriut, me ciklet e tensioneve që krijohen në marrëdhëniet njerëzore të burrave dhe grave, pavarësisht moshës së tyre.
Kjo vepër zgjon fantazinë si asnjë vepër tjetër e shekullit të 20-të, gjatë së cilës shpaloset një himn ngazëllyes për dashurinë e sinqertë.