Opera e Kosovës me koncert në 17-vjetorin e Pavarësisë, prezantohet libri ’14 këngë popullore shqiptare’

21 Shkurt, 2025 - 11:55 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, Opera e Kosovës dhuroi një mbrëmje të veçantë artistike, në vazhdën e shënimit të 17-vjetorit të Pavarësisë duke ofruar një koncert që ndërthuri me mjeshtëri muzikën tradicionale shqiptare me qasje të reja instrumentale dhe vokale. Në këtë ngjarje të veçantë, publiku pati mundësinë të shijonte ndërthurjen e muzikës së trashëguar që u rikrijua me një frymë bashkëkohore, shkruan KultPlus.

Mbrëmja nisi me interpretimin e veprës “Kur më vjen burri nga stani”, duke krijuar një atmosferë nostalgjie dhe lidhjeje me trashëgiminë muzikore shqiptare. Pas kësaj, programi vazhdoi me një varg veprash të njohura popullore, duke përfshirë “Vishu mirë e bon dyzen”, “Debora zbardhi malet”, “O yll i bukur, kopilje”, dhe “Asaman trandafilli çelës”,.

Koncerti u pasurua edhe më tej me interpretimet e “Kush më rrin karshi, karshi”, “Ferfelloi fellanza n’ujë”, “Bash n’zeman”, “Margjelo”, “Karafil të zgjodha”, “Bishtalecat pale, pale”, “Mori drandofilja e vogël”, dhe “Kur perëndon dielli”.

Pjesë kyçe e mbrëmjes ishte promovimi i librit “14 këngë popullore shqiptare” nga autori Edmond Doko, një vepër që jo vetëm ruan, por edhe rigjallëron muzikën tradicionale shqiptare. Ky libër, përmes qasjes së tij inovative, shërben si një urë lidhëse midis brezave, duke e prezantuar muzikën tonë të trashëguar në një dritë të re dhe të freskët.

Atmosfera u bë edhe më magjike me performancat e solistëve të mirënjohur nga Kosova, Elona Sadiku dhe Liridon Sadriu, të cilët sollën një interpretim të ndjeshëm secilën. Ata u shoqëruan nga Albanian Brass Quintet dhe ansambli vokal Okteti Plus, duke krijuar një harmoni të jashtëzakonshme ndërmjet tingujve të instrumenteve frymore dhe zërave të fuqishëm vokalë. Kjo ndërthurje e veçantë muzikore jo vetëm që ngjalli emocion te publiku, por edhe i dha një dimension të ri dhe të freskët muzikës popullore shqiptare.

Ky koncert u mirëprit shumë edhe nga publiku, e kjo nuk mund të shprehej ndryshe veçse me duartrokitjet, si një shenjë falënderimi për emocionet e dhuruara.

Pas koncertit, për KultPlus foli Edmond Doko, vetë autori i këtij libri i cili shprehet se ky ripërpunim i veprave vjen edhe si një nevojë e një trashëgimie që do t’u mbetet brezave të rinj.

“Fillimisht për shkak të detyrës sime si dirigjent në Teatrin e Operës, shpesh më binte rasti që të drejtoja këngë popullore të ndryshme, që këndonin artistët tanë të shquar të lirikës. Para katër viteve kasha një porosi nga djemtë e kuartetit, me dëshirën që ata të kishin këngë nacionale për ansamblet kombëtare, prandaj i përzgjodha disa nga këngët dhe I harmonizova. Pas disa viteve në shkëputje, më shkoi mendja që të bëj një përmbjedhje të gjerë që t’u mbetet edhe muzikantëve edhe brezave të rinj”, u shpeh Doko.

Me performancën e saj, mezosopranoja Elona Sadiku, arriti t’u japë ngjyrë secilës nga notat e duke e përcjellë atë emocion në secilin të pranishëm. Ajo për KultPlus thotë se është emocion i veçantë interpretimi i veprave shqipe.

“Fillimisht pata shumë emocione për shka se gjithmonë është kënaqësi të interpretosh me Operën e Kosovës. Kam pasur një ndjesi të mirë që kur kam ardhur në këtë sallë, e po të njejtën ndjesi e kam marrë edhe nga publiku sonte, duke ma bërë edhe më të lehtë që t’i menaxhoj emocionet. Është vërtet një emocion i veçantë kur këndon këngë shqipe sepse edhe vetë publiku i ndjen më shumë”, tha Sadiku.

Ndërkaq, kontratenori Safet Berisha shprehet se iniciativat e tilla, duhet të jenë edhe si një thirrje për të gjithë muzikantët që ta rithejnë repertorin popullor, sepse sipas tij është vërtet i pasur.

“Muzika jonë popullore, siç e dimë, është shumë e pasur. Ajo çka nevojitet është që kompozitorët, muzicientët që të punojnë më shumë që ta aranzhojnë dhe të jipet mundësi që të interpretohen edhe nga ansamble profesionale, e pse jo përveç këtu edhe në vende të tjera”, theksoi më tutje Berisha.

Ndërkaq, ju rikujtojmë se ky koncert i cili u mbajt në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës erdhi si manifestim për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës./KultPlus.com

Të ngjajshme