Opera e Kosovës sonte sjell tenorin e njohur Saimir Pirgu, prezantohet albumi i ri

10 Dhjetor, 2024 - 5:26 pm

Tenori shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu sonte do të interpetoj në kuadër të Operës së Kosovës, e njëkohësisht do të lansoj albumin e tij të ri “Saimir”, shkruan KultPlus.

Tenori Pirgu do të nisë turneun e tij të këtij albumi, për të vazhduar më pas me të njëjtin koncert edhe në Barcelonë. Koncerti vjen nën dirigjimin e Elda Laro.

Në skenë, përveç tenorit të famshëm ndërkombëtar Saimir Pirgu, do të ngjitet edhe sopranoja Marigona Qerkezi për të dhuruar një mbrëmje te paharrueshme.

Ndërkohë, ai së fundi, pas 13 vjetësh mungesë, është rikthyer në skenën shqiptare të Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit. Nëpërmjet operës “Toska” të Puçinit, ai interpretoi rolin e Kavaradosit.

Biletat e kësaj shfaqjeje të shumëpritur ishin shitur në kohë rekord. “Toska” megjithëse e vënë shumë herë në skenën e TKOB-së, mori rëndësi për faktin se përveç rikthimit të tenorit Pirgu, i jep fund “Vitit Puçinian”, në nder të kompozitorit Xhakomo Puçini.

“Toska” është një udhëtim mes pasionit, xhelozisë dhe sakrificës. Ngjarjet vendosen në Romën e shekullit XIX dhe eksplorojnë marrëdhënien komplekse mes një këngëtareje pasionante, një artisti idealist dhe një shefi policie sadist.

Koncerti mbahet sonte, në ora 19:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme