13 Dhjetor, 2021 - 8:30 pm
Mediat e huaja kanë raportuar se Travis Scott është larguar në lista e performuesve të festivalit muzikor “Coachella 2022”, pas tragjedisë së muajit të kaluar e cila ndodhi në festivalin e reperit “Astroworld”, ku mbetën të vdekur 10 persona e qindra të tjerë të lënduar.
Sipas raportimeve të fundit, , Jim Curtis, menaxher i shërbimeve komunale të qytetit Indio, ku mbahet festivali tradicional, ka deklaruar se Scott nuk do të performojë në edicionin e ardhshëm të festivalit.
Edhe revista “Variety” ka bërë të ditur se reperi i njohur amerikan është larguar përfundimisht nga lista e yjeve që do ta kryesonin këtë ngjarje muzikore. Sipas tyre, organizatorët e “Coachella” i kanë thënë agjentes së Scottit, Cara Lewis, se po planifikojnë ta largojnë reperin nga lista e performuesve dhe se janë të gatshëm ta paguajnë një shumë të nevojshme për anulimin e koncertit të tij.
Megjithëkëtë, konfirmimi zyrtarë dhe përfundimtarë i këtij lajmi mbetet të bëhet nga “Goldenvoice”, kompania prapa organizimit të festivalit “Coachella”, apo nga zëdhënësit e reperit.
Muajin e kaluar u formula një peticion online i cili bënte thirrje për largimin e Travisit nga të gjitha festivalet e organizuara nga kompania “Goldenvoice”, dhe deri më tani janë siguruar 60 mijë nënshkrime të peticionit.
Travis Scott po përballet me disa padi ligjore të ngritura kundër tij, bashkë me kompaninë “Live Nation” që merret me organizimin e koncerteve dhe persona të tjerë të përfshirë në përgatitjen e festivalit “Astroworld”. Në njërin rast gjyqësor, reperi akuzohet për neglizhencë dhe ballafaqohet me padi në vlerë prej 2 miliardë dollarësh, e ngritur në emër të 282 personave.
Ylli i hitit “Escape Plan” ishte planifikuar të performojë në edicionin e vitit 2020 të festivalit “Coachella”, por kjo ngjarje ishte anuluar për shkak të krizës shëndetësore të shkaktuar nga pandemia. Kurse në edicionin e vitit të ardhshëm të festivalit, Travis Scott, planifikohej ta ndante skenën me yje të tillë si grupi “Rage Against The Machine”, Megan Thee Stallion, Doja Cat dhe grupi “Swedish House Mafia”. / KultPlus.com