27 Mars, 2024 - 4:30 pm
Më datë 29 mars 2024, në ora 11:00, do të mbahet tryezë shkencore me temën: “Kabaja – Simbol dhe Identitet i Muzikës Tradicionale Shqiptare”.
Ky event i cili do të mbahet në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, është një rast i rëndësishëm për të eksploruar rolin dhe identitetin e kabajës në kontekstin e muzikës tradicionale shqiptare.
Në këtë takim do të prezantohen analiza dhe studime thelbësore nga ekspertë të fushës.
Fjala e hapjes do të bëhet nga prof. Blerim Emerllahu, drejtor i Internacional Kosova Clarinet Festival dhe profesor i klarinetës në UBT.
Ndërsa me kumtesa do të paraqiten:
1. Aleksandër Peçi, Mjeshtër i madh, Kabaja, sazet dhe sazeologjia.
2. Bekim Ramadani, Fakulteti i Muzikës, Universiteti i Tetovës. Kabaja shqiptare në Maqedoninë e Veriut: trashëgimia e klarinetistëve dhe kultivimi i formës muzikore.
3. Fatos Qerimaj, Fakulteti i Muzikës, Universiteti i Arteve, Tiranë. Kabaja: Fenomeni muzikor frymëzues. 4. Fatmir Lela, Remzi Lela – Legjenda e klarinetës shqiptare.
5. Krenar Doli, Instituti Albanologjik, Prishtinë. Laveri, Çobani dhe Lulushi – Tre kapedanët e klarinetës shqipe.
“Të gjithë të interesuarit dhe dashamirësit e kulturës dhe muzikës tradicionale janë të ftuar të bashkohen në këtë ngjarje të rëndësishme. Mos e humbni këtë mundësi për të zgjeruar njohuritë tuaja dhe për të bërë një kontribut në studimin e pasurisë kulturore shqiptare”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com