Orkestra e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” do të garojë në Festivalin Botëror të Orkestrës 2025 në Vjenë

22 Shkurt, 2025 - 4:56 pm

Në dhjetorin e vitit 2024 orkestra “Amadeus” është pranuar të jetë pjesë si garuese në festivalin botëror të orkestrave në Vjenë: “World Orchestra Festival 2025”. Orkestra e fëmijëve të Prishtinës, në muajin korrik të këtij viti do të përfaqësojë Kosovën, në garat botërore të orkestrave në Vjenë, shkruan KultPlus.

Për KultPlus, Orkestra ka bërë të ditur se mënyra se mënyra e aplikimit është bërë përmes dërgimit të videove nga paraqitjet e ndryshme që kanë pasur vitin e fundit. Videot janë kërkuar të jenë nga koncertet live që kanë pasur.

Aplikimi i tyre pastaj ka kaluar përmes një komisioni tejet profesional dhe Orkestra tashmë ndjehet tejet krenare që është përzgjedhur si pjesëmarrëse në mesin e shumë orkestrave të tjera nga e gjithë bota.

Festivali botëror i Orkestrave në Vienë është Festival prestigjioz i cili organizohet tash e 11 vite, dhe përveç garimit, nxënësit orkestrantë do të kenë mundësi të koncertojnë në sallat më prestigjioze koncertale të Vjenës, siç është Golden Hall, aty ku edhe vetë Filharmonia e Vienës i mbanë koncertet. Pastaj salla e House of Strauss (Shtëpia e kompozitorit Shtrauss), Viena City Hall Square dhe Muth Concert Hall.

Përveç garimit, nxënësit orkestrantë do të kenë mundësinë të mbajnë edhe punëtori me dirigjentët dhe instrumentistët të njohur, në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Performuese të Vienës.

Kjo do jetë përvojë e jashtëzakonshme për nxënësit e rinj muzicientë dhe gjithashtu një vlerë e madhe për vet Kosovën ku edhe do të përfaqësohet për herë të parë ndërkombëtarisht në një festival prestigjioz nga këta nxënës.

Ky përfaqësim dhe projekt me shumë vlerë për vendin, ka nevojë të përkrahet nga të gjithë, përfshirë institucionet shtetërore, organizatat biznesore dhe fondacionet e shoqëritë kulturore-artistike.

Që nga themelimi i saj në vitin 2015 me një grup të vogël muzikantësh të rinj, aspirues, Orkestra e Fëmijëve “Amadeus” ka lulëzuar në një shembull të ndritshëm të talentit të pasur muzikor të Kosovës. Në vitin 2022, Orkestra e Parë e Fëmijëve e Kosovës u themelua zyrtarisht me mbështetjen e shkollave të muzikës të Prishtinës dhe Komunës së Prishtinës.

Koncerti i tyre përurues fitoi vlerësime të mira dhe tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të kulturës, mediave dhe zyrtarëve qeveritarë. Orkestra ka vazhduar të lulëzojë, duke shfaqur talentin e saj të jashtëzakonshëm në Kosovë dhe ndërkombëtarisht./ KultPlus.com

Të ngjajshme