31 Tetor, 2023 - 11:20 am
Vjollca Duraku
Fotografitë: Enes Sahiti
Një program komplet premierë, të dielën mbrëma i është dhuruar adhuruesve të muzikës klasike nga Orkestra e Filhamonisë së Kosovës, e cila për solist në këtë koncert me kërkesa të mëdha, pati Konstantin Manaev- violonçelist dhe Gregory Charette- dirigjent, shkruan KultPlus.
Në “Sallën e Kuqe” të mbushur plot, “Attempt për orkestër harqesh” e Ersan Januzit ishte vepra e parë që filloi të interpretohej nga Orkestra e Filhamonisë së Kosovës, kryesisht me tinguj të qetë të cilët herë pas here bëheshin të mistershëm.
Tinguj më të plotë, të cilët u interpretuan pak më vonë i dhanë seriozitet kësaj vepre që në fillim jepte tinguj të lehtë kryesisht. Një lëvizje e shpejtë e gishtërinjve nga dora e ngritur lart e dirigjentit, u dha leje muziktarëve të orkestrës që të përmbyllin pjesën e parë, për t’i lënë radhë pikës tjetër interpretuese.
Konstanin Manaev, violonçelisti maestro pas pak iu bashkua skenës për t’i dhënë publikut një koncert të mahnitshëm. Tinguj të shkurtër, strikt, fisnik e të njëtrajtshëm, karakterizonin veprat e Dmirti Shostakovich me Koncert për violonçel Nr.1 në Es-Dur, Op.107 (Cello Concerto No1 in E-flat major, OP. 107, Allegreto, Moderato, Cadenza, Allegro).
Mjeshtëria e artistit të njohur ndërkombëtarisht, e të nominuar për Çmimin Ndërkombëtar i Muzikës Klasike 2023, vërehej lehtë nga publiku në sallë. Lëvizja e kokës majtas dhe djathtas me sy kërkues gjithandej, i jepte koncertit tjetër nivel. Dukej sikur i kërkonte një e nga një tingujt të cilët i emetonte për të kontrolluar nëse arrinin të dilnin dhe jehonin në sallë me akustikën e duhur. Lëvizjet e tij që përbënin stil në vete, qe një e veçantë tjetër që publiku e dallonte lehtë, i cili në fund të interpretimit e riktheu tri herë në skenë me duartrokitjet e pandalshme.
Një interpretim i një pike tjetër, ishte mirënjohja që Manaev ia dhuroi publikut përsëri, për t’ lënë radhë interpretimit të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës dhe dirigjentit Gregory Charette me veprat e Jean Sibelius me Simfonia Nr.1 në e-mol, Op.39 ( Andante, ma non troppo-Allegro energico, Andante (ma non troppo lento, Scherzo: Allegro, Finale -Quasi una fantasia: Andante- Allegro molto- Andante assaii- Allegro molto come prima-Andante ma non troppo). Tinguj të qetë që më vonë bëheshin shpërthyes nga një tingëllimë e madhe e të gjitha instrumenteve së bashku u dhanë në këto pika ndër të tjerë dramatikë, të lehtë e konstant.
Edhe përfundimin e pjesës së dytë publiku e mirëpriti shumë mirë, duke e rikthyer disa herë edhe dirigjentin Gregory Charette për profesionalizmin e treguar në skenë.
Krejt në fund në një prononcim për media violonçelisti Konstantin Manaev tha se ndihej i lumtur që interpretoi në Prishtinë para një publiku të mahnitshëm.
“Ishte kënaqësi e madhe të luaja këtu, është vizita ime e parë në Kosovë. Jam ndier si në shtëpi, sepse kam shumë miq në Orkestër, janë shumë profesionalë. Jam ndier shumë mirë të interpretoj me ta muzikën kamertale. Atmosfera ishte e mrekullueshme. E di se nuk e keni tani sallën koncertale me të cilën do të bëheni, por ju veçse e keni publikun e mrekullueshëm, Orkestrën dhe muzikantët fantastikë”, ka thënë Manaev.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari në një prononcim për media u shpreh i lumtur me nivelin e treguar të Filharmonisë së Kosovës, të cilin sipas tij e vlerësuan edhe reagimet e publikut në këtë koncert, i cili në tërësi ishte premierë.
“Programi i sotëm ka qenë komplet premierë, duke filluar nga vepra e Ersan Jonuzajt e cila ishte vepër fituese e përzgjedhur nga Ministria e Kulturës për Kompozitorin më të Mirë. Ishte një përvojë shumë e mirë që e prezantuam këtë vepër dhe ato të Shostankovichi- violonçelo- koncert i parë i tij, simfoninë e parë e Sibeliusit si vepra të painterpretuara ndonjëherë nga Filharmonia e Kosovës dhe të padëgjuara live nga publiku ynë. Ishte një koncentrim i madh i energjisë për të realizur posaqërisht këto vepra që konsiderohen literaturë shumë e veçantë në muzikën artistike, e që ishte sfidë e jashtëzakonshme për orkestrën tonë të arrijë që këto të vihen në skenë. Është vërejtur nga reagimi i publikut, muzikantëve dhe kritikëve me vlerësimet e tyre të menjëhershme, që seriozisht Filharmonia sonte ka tregu një nivel ndryshe. Programi ka qenë me shumë kërkesa dhe unë jam i bindur që të gjithë instrumentistët brenda Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës e kanë dhënë maksimumin e tyre”, ka thënë Jashari.
Kurse kompozitori i veprës “Attempt” e cila u dha premierë në këtë koncert, Ersan Januzaj, tha se për të ishte nder që vepra premierë u dha nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës.“Ky koncert ka pasur një program mjaft cilësor. Ka qenë kënaqësi dhe nder për mua që në repertorin e zgjedhur për këtë koncert ka qenë edhe vepra ime si premierë. Është posaqërisht nder të interpretohej nga Filharmonia e Kosovës”, ka thënë Jonuzaj duke i falënderuar gjithë trupën e Orkestrës së Filharmonisë për interpretimin brilant të veprës së tij./ KultPlus.com