Orkestra e Filharmonisë së Kosovës nesër sjell dy vepra të kompozitorëve kosovarë

25 Nëntor, 2018 - 4:30 pm

Gili Hoxhaj

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës sot po përfundonte provat e fundit për t’i sjellë nesër publikut të Prishtinës, një program të veçantë e të larmishëm, që nis e përfundon me vepra të kompozitorëve të huaj ndërsa sjellë dy vepra të kompozitorëve vendor.

Françoise Chevaux ka marrë rrugën nga Franca për të ardhur nesër në Prishtinë, duke i sjellë publikut të Prishtinës dy vepra të saj. Krahas veprave, publiku do të shijojë edhe lojën e Chevaux në piano në veprën “Koncerti dimëror”. Ajo së bashku me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës do të sjellin lojë tingujsh nën drejtimin e dirigjentit Oscar Rubilar, një dirigjent që zhvillim e tij muzikor e ka bërë në Kili, Zvicër e Mbretërinë e Bashkuar.

Drejtor i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se koncerti i nesërm ka më shumë tituj e vepra se koncertet e zakonshme duke veçuar dy vepra të kompozitorëve kosovarë. Jashari në konferencën e mbajtur sot për media falënderoi Ambasadën Franceze për bashkëpunimin për t’i sjellë Prishtinës, pianisten e kompozitoren Françoise Chevaux.

“Ky program është formuluar nga Filharmonia e Kosovës dhe vjen në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë. Ky bashkëpunim ka rezultuar me ardhjen e pianistes e kompozitores Françoise Chevaux e cila do të prezantohet me dy vepra ku në njërën do të jetë soliste”, pohoi Jashari.

Në koncertin e nesërm vjen edhe Poema dramatike “Skënderbeu” e kompozitorit Farhi Beqiri. Kjo vepër vjen në nderim të 550 – vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ndërsa ishte kompozuar para 50 vitesh asokohe kur ishte 500 – vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit.

“Kemi fatin që e kemi kompozitorin mes nesh. Ky është një moment interesant besoj edhe për publikun i cili do të dëgjojë këtë vepër që ka vlera për muzikën tonë kombëtare”, u shpreh tutje Jashari.

Pjesa e dytë e koncertit do të sjellë veprën “Dhimbja Simfonike” të kompozitorit kosovar Mendi Mengjiqi, vepër kjo e cila ka marrë çmimin për “Vepër orkestrale, simfonike dhe koncertale” në konkursin e MKRS-së.

Pianistja e kompozitorja Françoise Chevaux tha se ndihet tejet e lumtur që përmes ftesës që i ka bërë Ambasada Franceze, ajo ka mundësi të takojë dhe të bashkëpunojë me muzikantë kosovarë e po ashtu edhe me dirigjentin Oscar Rubilar.

“Vepra ime është për dimrin, tashmë jemi në dimër e pikërisht kjo vepër e përshkruar këtë atmosferë. E kam luajtur me orkestra të vendeve të ndryshme kurse këtu është një eksperiencë krejt ndryshe, pasi që, akustika dhe ambienti në çdo vend është ndryshe”, tha pianistja e kompozitorja Chevaux.

Dirigjenti Oscar Rubilar vjen për herë të parë në Kosovë, për të punuar me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Ai tha se prapa po lë një javë intensive të punës ndërsa theksoi se është i befasuar, pasi që, për të është hera e parë që punon me orkestrën kosovare dhe me vepra të kompozitorëve kosovarë.

“Ka qenë një javë intensive dhe jam shumë i emocionuar për nesër se çfarë do të sjellim për publikun. Kam qenë i befasuar pasi që është hera e parë që punoj me vepra të kompozitorëve kosovar dhe ka qenë shumë interesante për mua, në tërësi është një program interesant më mjaft kontraste”, u shpreh Rubilar në konferencën e mbajtur sot për media.

Krejt në fund koncerti i mbrëmshëm do të përmbyllet me veprën “Uvertura tragjike Op.81” të Johannes Brams.

Koncerti do të mbahet nesër, më 26 nëntor duke filluar nga ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme