20 Nëntor, 2021 - 11:00 am
“Katër stinët” e Vivaldit rishkruar me të dhënat për klimën: Sinjal që duhet dëgjuar
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës sjell rishkrimin e veprës së njohur të muzikës klasike si thirrje ndërgjegjësimi për krizën klimatike dhe frymëzim për aktivizimin.
E titulluar “For Seasons” (Për stinët), partitura muzikore u krijua nga muzikantët e NDR Elbphilharmonie në Hamburg, inxhinierë zëri, zhvillues softuerësh dhe aranzhues muzikorë. Të dhënat klimatike që datojnë prej vitit 1725 u përdorën për të ndërtuar një algoritëm i cili më pas u shfrytëzua në “Katër stinët” e Antonio Vivaldit, duke rezultuar me pjesën e re – “të shtrembëruar”, por reflektuese e fakteve mbi ndryshimet klimatike.
Siç përshkruhet nga krijuesit e pjesës së re, “të dhënat klimatike që shpërfaqin 300 vjet të lirimit të dyoksidit të karbonit në nivel global, janë shpërndarë përgjatë kohëzgjatjes së veprës: sa më e lartë të jetë vlera e dyoksidit të karbonit, aq më e gjatë është vlera e notave muzikore. Meqenëse lirimi i dyoksidit të karbonit është vazhdimisht në rritje, koha e fundit e veprës, “Dimri”, tingëllon gjithnjë e më e dhunshme dhe intensive.
“Vepra ‘For Seasons’ ka rezultuar nga iniciativa e muzikantëve të “NDR Elbphilharmonie” dhe Jung von Matt Spree dhe bazohet në një kompozim nga Simone Candotto (NDR Elbphilharmonie Orchester), Christian Rühle (Markenfilm Space), Fernando Knof dhe Felipe Sanche. – Luna (KlingKlangKlong), Sven Rebholz dhe Inka Weigl (Jung von Matt Spree GmbH).
Koncerti mbahet në Sallën e Kuqe duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com