22 Tetor, 2018 - 2:39 pm
Gili Hoxhaj
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës vetëm se ka finalizuar provat e fundit me dirigjentin Gregory Charette , në zbërthimin final të veprave “Uverturë shqiptare” të kompozitorit kosovar Hajrullah Syla, Suitën simfonike “Sheherzadja”, op.35 të Nikolai Rimsky- Korsakov dhe “Koncert për violinë dhe orkestër nr.1 në g-mol, op.26” nga Max Brunch, në të cilën solist është violinisti i njohur shqiptar Rudens Turku. Ky koncert vjen si bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Kamertale, Kamerfest dhe rrumbullakon edhe koncertin e katërt të tij.
Filharmonia e Kosovës këtë muaj ka hapur sezonin koncertal, ndërsa po këtë muaj po e përmbyll me koncertin e tretë. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se ky fakt tregon për një dinamikë të re të Filharmonisë së Kosovës dhe për prurje të reja të solistëve. Jashari në një konferencë për media, tutje tha se koncerti i nesërm është i veçantë pasi që është koncerti i rregullt i Orkestrës Simfonike të Filharmonisë së Kosovës dhe shënon bashkëpunimin që çdo tetor kanë me Festivalin “Kamerfest”, i cili kësaj radhe e ka sjellë një violinist të përmasave botërore.
“Ne patëm rastin të dëgjojmë provat e para me violinistin Rudens Turku dhe mund të them lirishtë që ka lenë një përshtypje të jashtëzakonshme tek të gjithë ne, tek orkestra dhe natyrisht edhe bashkëpunimi me dirigjentin besoj se ishte shumë frytdhënës në kuptimin e realizimit final të programit”, u shpreh Jashari. Jashari tutje shtoi se që tani mund të thotë se koncerti i nesërm do të mbahet mend kjo duke u bazuar në përgatitjet tejet profesionale.
Rudens Truku është violinist i njohur nga Shqipëria që karrierën e tij e zhvillon në Gjermani, ndërsa tha se ndihet shumë i lumtur që po vjen për herë të parë në Kosovë, ndërsa tha se shpreson që Kosova sa më shpejtë të bëhet me sallë koncertale.
“Këto dy ditë prej që jam këtu kam ndjerë vetëm dashuri dhe miqësinë e njerëzve. Gëzohem shumë për koncertin që do luajmë së bashku. Dallohet që orkestra është shumë gati për ide të reja, të dëgjojë, të reagojë dhe të zhvillojë mendimet që shkëmbejmë me njëri-tjetrin, i uroj orkestrës për një sallë që është shumë e rëndësishme jo vetëm për orkestrën por edhe shoqërinë në Kosovë për shkëmbimin e njerëzve në anën muzikale dhe kulturore”, u shpreh Truku, ndërsa tha se ndihet i lumtur që po shkëmben idetë muzikale me dirigjentin Gregory Charette.
Dirigjenti Gregory Charette nuk është më një emër i ri për publikun e Filharmonisë së Kosovës. Ai po bashkëpunon për të katërtën herë me Filharmoninë e Kosovës ndërsa ka sjellë dhe një koncert solistik me piano në Festivalin “Dam. Charette tash e dhjetë ditë në mënyrë të detajuar po përgatitë orkestrën për koncertin e nesërm ndërsa tha se po ndihet shumë mirë që për këtë koncert me Orkestrën e Filarmonisë të Kosovës po bashkëpunon edhe me violinistin Rudens Turku, i cili është shumë i hapur dhe ka mjaft njohuri për veprën që do të luaj.
“Sa herë që vij këtu më duket që programi po bëhet më i vështirë, dhe them se një ditë kur do të vijë do të luajmë një vepër edhe më të gjatë. Sa herë që vij në Prishtinë ndihem si në shtëpi” , u shpreh Charette.
Baki Jshari, drejtori i Filharmonisë së Kosovës tha se dirigjenti Charette i cili bashkëpunon për të katërtën herë me Filharmoninë e Kosovës e ka gjetur një lidhje shumë të mirë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe po arrin ta ndërlidh shumë mirë aspektin artistik me punën pedagogjike në ngritjen e nivelit të orkestrës. Koncerti do të mbahet nesër duke filluar nga ora 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com