29 Mars, 2025 - 10:10 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit italian Marco Crispo, dhuroi një koncert të paharrueshëm në Prishtinë, duke shënuar mbylljen e Javës së Frankofonisë. Programi i mbrëmjes përfshinte vepra të zgjedhura nga repertori klasik francez dhe austriak, duke ofruar për publikun e pranishëm, një përvojë të pasur muzikore, shkruan KultPlus.
Koncerti filloi me”D’un matin de printemps” të kompozitores franceze Lili Boulanger, një pjesë e ndjeshme që pasqyron freskinë e një mëngjesi pranveror. Ky interpretim solli në jetë nuancat delikate dhe ndjeshmërinë e veprës, duke krijuar një hyrje të përsosur të këtij koncerti.
Në vijim, skena priti violinisten franceze Liza Kerob dhe violistin shqiptar Altin Tafilaj, të cilët sollën një interpretim të magjishëm të Sinfonia Concertante në E-bemol Major, K.364 të Ëolfgang Amadeus Mozart. Bashkëpunimi i tyre me orkestrën dhe dirigjentin dhuruan një peizash të bukur duke nxjerrë në pah virtuozitetin dhe ndjeshmërinë e tyre artistike.
Pjesa e dytë e koncertit solli tingujt impresionistë të “Pelléas et Mélisande”, op. 80 të Gabriel Fauré, një vepër e mbushur me mister, ëndërrim dhe ndjeshmëri të thellë. Dirigjenti Crispo së bashku me orkestrën nxorën në pah të gjitha nuancat e kësaj vepre magjepsëse, duke krijuar një atmosferë të mbushur me emocion e melankoli në çdo tingull.
Në përmbyllje të kësaj mbrëmjeje të jashtëzakonshme, orkestra solli “Ma Mère l’Oye” të Maurice Ravel, një suitë e ndërtuar mbi përrallat e fëmijërisë, ku tingujt vinin si yje mbi një natë plot kujtime.
Ky koncert arriti që për gati dy orë të përcjellë publikun në një udhëtim magjepsës nëpër kryeveprat e muzikës klasike, e duke dëshmuar edhe njëherë potencialin e Institucionit të Filharmonisë së Kosovës.
Pas koncertit, për KultPlus foli dirigjenti Marco Crispo, i cili u shpreh se pas këtij koncerti, vuri re një punë të madhe të cilën ai dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës arritën të realizojnë në pak ditë.
“Nuk është hera ime e parë në Prishtinë, mirëpo është hera ime e parë si dirigjent me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Kisha kënaqësinë verën e kaluar që të njihja disa nga muzicientët, mirëpo kur erdha në këtë sallë u takoha me komplet njerëz të ri të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, e që ishin po ashtu fytyra shumë të dashura”, theksoi Crispo.
Edhe për violinisten Liza Kerob, ajo që i bëri më së shumti përshtypje ishte ngrohtësia që ajo mori nga publiku dhe muzikantët. Ajo theksoi se gjatë kësaj eksperience, u ndje si në shtëpinë e saj.
“Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ishte shumë e mirë, unë mund ta ndjej potencialin e tyre. Ata u treguan shumë të ngrohtë dhe të dashur me mua, sa që u ndjeva sikur të isha në shtëpi. Pjesë që interpretuam sot nga Moxart është një kryevepër. Kur Altini më propozoi që ta luajmë këtë pjesë, isha shumë e lumtur sepse kjo është një kryevepër dhe unë e dua shumë. Unë nuk e mendoja që do të ketë kaq shumë publik, kur erdha nuk prisja që do të kishte njerëz nga të gjitha anët, njerëz entuziastë e kjo për mua ishte diçka shumë interesante”, tha Kerob, duke shtuar se emocioni i saj u shtua edhe më shumë nga duartrokitjet e shumta të publikut.
E ndonëse nuk është hera e tij e parë që interpreton së bashku me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, Altin Tafilaj u shpreh se çdo herë që bashkëpunon me këta muzikantë sheh potencialin e pasur dhe përparimin e tyre.
“Vepra që unë performova ishte simfonia koncertante e Moxart, e cila ëstë në b-mol major dhe është një pjesë e veçantë sepse është për koncert violinë, violë dhe orkestër, por unë e quaj gjithmonë që është si një simfoni me dy parte soliste dhe tipsike Moxart, tonalitieti është shumë i përdorur. E vlerësoj shumë bashkëpunimin me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe ka një potencial të pasur sepse bën një punë të mrekullueshmë me kushtet qe mund të paraqiten sot, por ka gjithmonë përparim”, tha Tafilaj për KultPlus.
Ndërkaq, ju kujtojmë se koncerti i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 5 prill prej orës 19:30 në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë me një mbrëmje me vepra nga kompozitori Philip Glass. Koncerti do të drejtohet nga amerikani Gregory Charette ndërsa në rolin e solistit do të prezantohet violinisti belg-amerikan Max Haft./KultPlus.com