Orkestra e RTSH prezanton koncert me krijimtarinë e Limos Dizdarit

8 Shkurt, 2025 - 10:02 pm

Krijimtaria më e mirë e kompozitorit të njohur shqiptar, romantikut të fundit Limos Dizdari, ka ardhur e interpretuar në një mbrëmje të magjishme nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar nën dirigjimin e maestros Ermir Krantja.

Kompozitori Dizdari, i vlerësuar edhe me titullin Artist i Merituar, njihet për kompozimet e muzikës së shumë filmave të njohur, për veprat simfonike, si edhe për kompozimin e këngëve të muzikës së lehtë mbështetur në traditën popullore shqiptare.

Me solisten Merita Rexha Tërshana, si edhe me pjesëmarrjen e veçantë të vajzës së kompozitorit, Alda Dizdari, u interpretuan “Koncert për piano dhe orkestër”, “kolazh solo violinë” dhe “Fjalët e qiririt” nga muzika e filmit “Mësonjëtorja”.

E veçanta e këtij koncerti ishte dhe pjesëmarrja e aktores Luiza Xhuvani, e cila interpretoi poezinë “Pisha…”.

Në hala të pishës dridhen ca lot të ftohtë.

Duan të bien e s’bien dot.

Çfarë mund t’i presë në tokën e thatë

përveçse zhdukjes së ngadaltë.

Koncerti ishte pjesë e stinës koncertore të Orkestrës së RTSH-së./rtsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme