4 Shkurt, 2025 - 5:47 pm
Krijimtaria më e mirë e kompozitorit të njohur shqiptar, romantikut të fundit Limos Dizdari, do të vijë e interpretuar në një mbrëmje të magjishme nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën dirigjimin e maestros Ermir Krantja.
“Nuk është një koncert i zakonshëm. Bën pjesë në ato mbrëmje muzikore që herë pas here i organizojmë me veprat e një autorit të vetëm, në rast jubilesh, ditëlindjesh etj. Është rasti që të përdorim këtë mrekulli, që është krijimtaria e Limos Dizdarit, do të thosha kompozitori i fundit i romantikëve, por me një gamë të gjerë emocionale, melodish,” shprehet maestro Krantja.
Kompozitori Limos Dizdari, i vlerësuar edhe me titullin Artist i Merituar, njihet për kompozimet e muzikës së shumë filmave të njohur, për veprat simfonike, si edhe për kompozimin e këngëve të muzikës së lehtë mbështetur në traditën popullore shqiptare.
“Do të ketë një vepër madhore, që është Simfonia e tij nr.1. Gjithashtu do të shoqërohet nga koncerti për piano dhe orkestër me soliste Merita Rexhën, e cila njihet për cilësitë e saj si muzikante dhe pianiste. Do të jenë edhe dy kolona zanore nga ‘Rrugë të bardha’ dhe ‘Fjalët e qiririt’ nga filmi ‘Mësonjëtorja’,” thotë dirigjenti Krantja.
Për të gjithë artdashësit, koncerti i Orkestrës Simfonike të RTSH-së do të mbahet në datën 7 shkurt në sallën e Universitetit të Arteve./rtsh/ KultPlus.com