5 Nëntor, 2021 - 9:01 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë në sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë u mbajt koncerti i parë i përbashkët mes Orkestrës Frymore të Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestrës Frymore të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Publiku që kishte mbushur plot sallën, pati mundësinë të dëgjojë një program një orësh ku u interpretuan premierat e tetë veprave të mëdha botërore. Nën drejtimin e dirigjentëve Baki Jashari, Lirjona Sylejmani dhe Hajrullah Syla u interpretuan veprat e Frank Erickson, Nikolai Rimsky-Korsakov, Joaquin Rodrigo, Jacob De Haan, Jan Van Der Roost, Samuel R.Hazo, Klaus Badelt, dhe Leonard Bernstein, shkruan KultPlus.
E se ky koncert ishte i niveleve të larta botërore, e dëshmuan edhe duartrokitjet e shumta të publikut dhe buzëqeshjet në fytyrat e të gjithë të pranishmëve në publik.
Pas koncertit, drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari, foli për KultPlus për këtë këtë bashkëpunim të parë në mes të dy orkestrave frymore.
‘Ky ishte bashkëpunimi i parë në mes të dy të institucioneve, pjesës frymore të Orkestrës së Filharmonisë dhe orkestrës frymore e cila është si e tillë e formuar brenda togut ceremonial të Forcave të Sigurisë së Kosovës ku unë atje jam edhe dirigjent edhe përgjegjës. Vitin e kaluar FSK e ka impelemntu një projekt të kompletimit të Orkestrës frymore e cila deri në vitin e kaluar ka qenë më shumë një orkestër shumë e vogël – një ansambël, kurse tani janë mbi 50 performues. Kështu që natyrisht se kjo ka krijuar një orkestër të mirëfilltë. Dhe unë si drejtor i Filharmonisë së Kosovës, duke punuar atje e kam parë të arsyeshme meqë janë krijuar kushtet profesionale që ta bëjmë një projekt të përbashkët që rezultoi me këtë Koncertin e parë të rëndësishëm, domethënës por jo edhe i fundit.”-thotë Jashari.
Jashari më tutje flet edhe për sfidat që kanë kaluar deri në realizimin e këtin bashkëpunimi.
“Ka qenë një një punë gati një mujore, ku ka qenë shumë sfidë të bashkohen dy botëra në një projekt të përbashkët, ku është dashur të gjendet tingëllima e përbashkët, të akordohen grupet mes vete.”-shton Jashari
Dirigjentja Lirjona Sylejmani ndan emocionet e saj me KultPlus menjëherë pas koncertit që sipas saj ka qenë i mirëpritur nga të gjithë.
“Gjatë performancës jemi kënaqur që të gjithë duke përfshirë instrumentistët, dirigjentët e madje edhe publiku të cilët na kanë prit shumë mirë. Ky bashkëpunim ka qenë i mirëpritur nga të gjithë ne muzikantët e siç u pa edhe nga publiku.”- thotë dirigjentja Sylejmani, e cila shton se pavarësisht lodhjes gjatë provave, ishte një performancë që ia ka vlejtur.
Kurse, Avni Krasniqi, i cili pati mundësinë që në këtë koncert të luajë solo, e sheh këtë bashkëpunim si një nismë shumë e mirë për bashkimin e dy orkestrave frymore të dy institucioneve më të rëndësishme muzikore në vend.
“Për mua ka qenë një nder dhe kënaqësi e jashtëzakonshme që që pata rastin të luaj solo në këtë orkestër që përbëhet nga instrumentistët më të mirë frymorë që i kemi në vendin tonë’- deklaron Krasniqi për KultPlus.
E krejt në fund, për KultPlus foli edhe dirigjenti Hajrullah Syla i cili thotë se koncerti i djeshëm ishte i një niveli shumë të lartë.
‘Performanca e orkestrës frymore sonte ishte e nivelit shumë të lartë, duhet pasur parasysh që në periudhën e fundit në Kosovë nuk ka pasur një orkestër frymore dhe kjo është koncerti i parë që bëhet në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Orkestrës Frymore të Filharmonisë.” – shtoi Syla./KultPlus.com