Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës fenomenale nën drejtimin e Dario Salvit

29 Nëntor, 2024 - 12:30 pm

Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e Dario Salvit, dha koncert më 28 nëntor në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Koncerti u hap me Marshin nr. 1 në F-dur nga Ludwig van Beethoven. Në pikën e dytë, orkestrës iu bashkua Kori i Meshkujve i Filharmonisë së Kosovës në interpretimin e veprës In a Monastery Garden nga Albert Ketèlbey. Nga i njëjti kompozitor u interpretua edhe In a Persian Market në mbyllje të koncertit.

Surpriza e mbrëmjes ishte paraqitja e gajdexhiut nga Malta, Stefan Mercieca, i cili, pas një loje tradicionale në gajde, interpretoi edhe The Gael (The Kiss) nga I Fundit i Mohikanëve nga Trevor Jones, I Dreamed a Dream nga Claude-Michel Schönberg, dhe Kështjella e Edinburgut nga Duncan R. Beat.

Në pjesën e parë u interpretua edhe premiera kosovare e veprës Illyrian Dances nga Guy Woolfenden. Ndërsa në pjesën e dytë u interpretuan Suita nr. 1 dhe nr. 2 për orkestër frymore nga Gustav Holst.

Orkestra Frymore dhe Kori i Meshkujve i Filharmonisë së Kosovës do të mbajnë koncert më 30 nëntor në Prizren, prej orës 19:30, në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu”./ KultPlus.com

Të ngjajshme