29 Maj, 2021 - 11:14 am
Era Berisha
Interpretimi i Orkestrës Harkore së Filharmonisë së Kosovës, mbrëmë erdhi përmes veprave të ndryshme nga kompozitorë botërorë e shqiptar dhe me inkuadrimin e melodive bujare të cilat konsiderohen një mbingarkesë e veçantë, mbizotëruan pa mëshirë atmosferën në një ylber emocionesh të cilat dolën nga kontrolli qysh në piklën e parë të lëshuar butësisht nga performimi e deri tek rrokullisja izoluese e vetmisë hyjnore së tingujve që goditnin vazhdimisht atmosferën, shkruan KultPlus.
Ky koncert portretizoi një literaturë muzikore që mbrëmë Orkestra Harkore e solli në një mënyrë tejet të veçantë, duke filluar nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Benjamin Britten, Jean Sibelius dhe Karl Jenkins, për ta përmbyllur këtë natë magjike me kompozitorin shqiptar Drinor Zymberi që solli veprën premierë të titulluar ‘Folk Suite’, një vepër kjo që shënoi fundin e një koncerti i cili vazhdimisht frymoi në një ndezje të brishtë nga instrumentet diversive të cilat tashmë krijojnë përshtypjen se janë një ekspozitë e gjallë e melodive unike dhe tingujve përrallor.
Pasi të pranishmit kishin zënë vendin e tyre në një numër specifik të karrigeve dhe njëkohësisht ishin bërë pjesë e pandashme e qetësisë së përkryer që përcillte çdo anë të atmosferës, pasoi edhe pëshpëritja e ëmbël e cila shprehej përmes instrumenteve harkore të cilat mbrëmë shndrisnin nga performimi i instrumentistëve të cilët dëshmuan se talenti i tyre shkrihet tërësisht në një kulminacion që merrte flakë dhe së bashku me dritat e kuqe në sfond, u krijua përshtypja se pavarësisht se sa herë dëgjojmë një koncert nga Filharmonia e Kosovës, emocioni që dhurohet pamëshirshëm nga instrumentistët, nuk është i krahasueshëm me asnjë ndjenjë, për arsye se secili koncert sjell një magjepsje që bredh e zhveshur dhe fut publikun në një përhumbje hipnotizuese.
Kësaj here, ajo se çka dallohej nga performanca e instrumentistëve ishte manovrimi i instrumenteve të posaçme harkore, jo nën interpretimin e harkut por të duarve të tyre, që sollën një hijeshi trazovaçe e cila e gëlltit plotësisht atmosferën me një thithje të vetme dhe pushton publikun me detajet e veçanta të cilat veçse janë pjesë e domosdoshme e performimit si: mbështetja e këmbëve në një pozitë të caktuar ndaj këmbës së karriges që shërben për të mbajtur instrumentin në vend dhe lëvizja e duarve së bashku me instrumentin, duke formuar kështu një imazh ku violina kishte kapluar shpirtin e performuesit dhe në vend të tij po frymonte e vetme, në një vetmi që ngjasonte me rrëfimin e fshehtësive të futura thellë brenda njeriut, të cilat do të mund të dilnin në pah vetëm nën dritën e hënës.
E ndonëse, hëna e as ndriçimi i saj nuk ishin të pranishme fizikisht, në vend të saj aty pari dëgjoheshin cicërimet e zogjve që u bënë pjesë e interpretimit të veprave mahnitëse, duke sjell një egërsi të melodive që po i shoqëronte tingujt e Orkestrës Harkore që dirigjoheshin nga Agona Çupi, e cila dirigjonte jo vetëm veprat por edhe frymëmarrjen e instrumenteve e që nëse do të ekzistonte një emër për këtë emocion do të ishte: qetësia e vetmuar. Ky emocion që mbështjellë shikimin, trupin dhe lëviz të rrahurat e zemrës në një fluturim qetësie, erdhi pikërisht mbrëmë nga talenti unik i këtyre performuesve.
Harmonia hyjnore e tyre erdhi në fund, me ç’rast u dallua edhe pa përmbajtja e duartrokitjeve dhe brohoritjeve të cilat dëgjoheshin sikur një trubullimë e valëve dinake por që nuk mungonin as për një sekondë të vetëm, duke vënë një kontrast dukshëm të ëmbël nga ajo se çfarë kishim dëgjuar deri më tani.
Kurse, për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe performancës së saj, për KultPlus foli vetë dirigjentja Agona Çupi.
“Pjesëmarrja në koncert erdhi si ftesë nga bordi menaxhues i Filharmonisë së Kosovës ku programin e koncertit e kemi përpiluar së bashku dhe me orkestrën kemi krijuar një raport tejet të mirë duke bërë që gjërat të ecnin mirë sepse procesi i provave ka nisur qysh të hënën dhe së bashku me orkestrën kemi kaluar shumë mirë ku gjithçka ishte brenda suazave normale dhe performancës live”, thotë Çupi.
Sipas saj, nata ishte me shumë emocion. Për të, Filharmonia e Kosovës gjithmonë ka qenë një vend ku ajo ka dashur të performojë e të jetë pjesë e një koncerti.
“Është një ëndërr e realizuar, sigurisht pas një pauze të gjatë me pandeminë dhe pa publik, ndjenja sonte ishte shumë e bukur sepse ishte njëra nga përjetimet më të bukura dhe u ndjeva sikur u rikthyem dhe morëm frymë përsëri”, thotë Çupi për KultPlus.
Për Çupin, kjo natë do të ngelet si njëra nga ato netët e veçanta shkaku se publiku ishte prezent dhe mjaft i ngrohtë, instrumentistët ishin mbështetës duke e përkrahur atë dhe prandaj nuk ishte e vështirë puna me ta.
“Unë u ndjeva shumë e mirëpritur dhe realisht uroj që në të ardhmen të përsëriten netë të tilla”, potencon Çupi.
Ndërsa, ajo në fund thotë se si dirigjente duhet të jetë neutrale sa i përket preferencave të saj, por fakti që vepra e Drinor Zymberit ishte premierë, i dha asaj një emocion të veçantë.
“Nuk është hera e parë që i bëj premierë atij sepse stili i tij më përshtatet dhe prandaj do e veçoja sepse më dha një emocion të veçantë dhe përgjegjësi të veçantë shkaku se u performua për herë të parë”, përfundon Çupi për KultPlus.
Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës zhvilloi këtë koncert në kuadër të sezonit 2020/2021, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. / KultPlus.com