24 Shtator, 2018 - 10:44 pm
Ansambli i Muzikës Kamertale “Pirolo” në Gjakovë, është krijuar në vitin 2014 për t’iu hapur mundësi të rinjve të këtij qyteti që e duan e ndjekin muzikën klasike, të promovohen.
Ndërsa që nga koha kur e krijuan ansamblin me fondacionin nga Bazeli i Zvicrës, ata kanë mbajtur më shumë se 40 koncerte në Kosovë e po ashtu në Zvicër e Francë. Kurse për sezonin vjeshtor, orkestra kamertale ka udhëtuar për në Maqedoni ku ka luajtur disa nga veprat më të njohura në qytetet më të mëdha maqedonase.
Në Shkup, Tetovë e Ohër Orkestra Kamertale “Pirolo” ka luajtur veprën “Katër Stinët” nga Antonio Vivaldi, ndërsa këtë mbrëmje ata japin koncert në Gjakovë, në qytetin e themelimit. “Katër Stinët” e Vivaldit, është interpretuar nga violinistja Drenusha Lota dhe violinistët Pleurat Doli dhe Rron Bakalli. Kurse me 28 Shtator, “Pirolo” përmbyll këtë turne koncertesh me interpretimin e Vivaldit në Lumbardh të Prizrenit./KultPlus.com