Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor vjen me interpretim edhe në Prishtinë, me koncertin e Post ReMusica-s shënon 225 vjetorin e lindjes së Bethovenit

9 Janar, 2025 - 7:54 pm

Vjollca Duraku

Mbrëmë në kuadër koncertit Post ReMusica, është interpretuar program artistik nga Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor, nën dirigjimin e Desar Sulejmani, në nderim të 225 vjetorit të lindjes së L.V.Bethoven dhe 215 vjetorit të lindjes së F. Mendelsson- Bartholdy, shkruan KultPlus.

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor në përbërje nga muzicientë të rinj të gjashtë vendeve të Ballkanit (Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) interpretimin në Atelienë e Pallatit të Rinisë e filloi me veprën “Ouverture Athalia” të kompozitorit Felix Mendelsson- Barthold, që përmes tingujve të mrekullueshëm herë pas here qetësisht të ftonin në përjetim.

Pika e dytë interpretuese “Clarinet Concerto” e Aaron Copland u dha nga Orkestra Rinore Ballkanike dhe klarinetisti Mario Ruska si një interpretim që rrënqethte mrekullisht nga profesionalizmi. Përjetimi i tingujve të emetuar nga vetë klarinetisti binte në sy po aq sa lëvizja e tij ndërmjet muzicientëve për të krijuar harmoni energjie dhe tingujsh.

Ndërkaq, pjesa e tretë e koncertit “ Symphony Nr. 5” nga Ludwig van Bethoven me tinguj kryesisht të lartë i jepnin mbrëmjes madhështi. Në këtë pikë interpretuese dominonte loja e dirigjentit Sulejmani, i cili përmes një interpretimi brilant dukej sikur vërtetë krijonte magji përmes lëvizjes së shkopit të tij dhe notave muzikore të veprës së kompozitorit të shquar.

Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor  është një iniciativë e OJQ-së Artium Eudora, e cila synon që të rris bashkëpunimin mes muzicientëve të shteteve të ballkanit perëndimor të cilat nuk janë pjesë e BE-së, Veprimatria e kësaj orkestre shtrihet përtej dallimeve kombëtare, etnike e fetare, duke koontribuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërkufitar dhe ndëretnik.

Pas koncertit, dirigjenti Sulejmani ka thënë se përveç të krijuarit art, kjo orkestër zhvillon edhe një mision politik.

“Gjithçka është sfiduese kur mundohesh të gjesh gjuhën e përbashkët me kombësi të ndryshme siç ne i kemi pasur tani (13-të kombësi). Muzika, tingujt e muzikës të punuar mbi veprat e këtij programi e bën gjithmonë më të lehtë, ndërlidhjen, bashkëpunimin, komunikimin mes vete por edhe me kombësi të tjera. Mendoj që muzika është instrumenti më i mirë i mundshëm që ne kemi në dorë si muzikantë, për të lidhur kultura të ndryshme, kombësi të ndryshme, edukime të ndryshme shkollore, për të njësuar gjuhën e përbashkët të një niveli të lartë artistik”.

Ai më tej ka bërë të ditur se ky projekt pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, pasi posedon mbështetje nga programi kulturor Creative Europe nga Bashkimi Evropian.

“Ne jemi pothuajse në fund të turneut të këtij dimri, kemi filluar në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, sonte në Prishtinë dhe nesër do të kemi koncertin e fundit në Shkup. Me këtë koncert përmbyllet faza e dimrit ndërkohë që jemi duke punuar për fazën e projektit të verës, ku do të jemi edhe një orkestër më e madhe me 65 muzikantë të rinj, nga 17 vende evropiane. Koncertet ne do t’i mbajmë në të gjithë Ballkanin Perëndimor sikurse edhe në komunitetin evropian duke përfshirië këtu Gjermaninë, Francën. Mendoj që do të kemi koncerte edhe në Turqi”.

Ndërkaq, pianistja Eleonida Elezi ka thënë se interpetimi në Prishtinë pas një turi në shtetet tjera të Ballkanit për të papraqiste një ndjesi dhe emocion krejt të veçantë.

“Prej fillimit të turit është hera e parë që perfomoj në Prishtinë, fillimisht kemi performuar në Beograd, Novi Sad Sarajevë dhe në Mostar, por koncerti me emocionet më të veçanta ishte i sotmi në Prishtinë, sigurisht pasiqë është shteti ku kam lind. Ishte një emocion i veçantë të performosh para publikut tonë. Është një vepër karakteristike pasiqë është kontemporane dhe ka disa tipare të cilat duhet me u fokusu për t’i nxjerrë ato qoftë edhe me anë dinamike qoftë edhe me anë ritmike. Ka qenë një bashkëpunim shumë i ndërsjellë mes të gjithë muzikantëve për të sjellë një larmishme”, ka thënë pianistja Elezi duke e potencuar bashkëpunimin me kolegët e etnive të tjera.

“Ka qenë një ndjenjë e mrekullueshme për të pasur një bashkëpunim të ndërsjellë me mosha, bagazhe dhe etni të ndryshme. Sigurisht është një emocion i veçantë të kesh këtë bashkëpunim në mes të muzikantëve, bashkëpunim ky i cili gjithmonë sjellë frytshmëri në muzikë”, ka thënë pianistja.

Koncerti i mbrëmshëm i cili u mirëprit nga audienca ishte një besfasi e vërtetë edhe për klarinetistin Mario Ruska.

“Me të vërtetë ishte një mbrëmje shumë e mirë. Në fakt, nuk e prisja këtë gjë kaq të mirë, pasi dje kemi mbërritur vonë dhe nuk kemi fjetur aq shumë. Të gjithë ishin shumë të lodhur dhe nuk prisnim një mbrëmje me kaq shumë adhurues”, ka thënë ai.

WBYO është mbështetur nga Programi i Bashkimit Evropian “Creative Europe” me projektin  WBYOACCELERANDO, si një projekt me vlerë dhe rëndësi në promovimin e kulturës dhe artit në Ballkanin Perëndimor si dhe në Evropë./ KultPlus.com

Të ngjajshme