30 Shtator, 2023 - 12:31 pm
Orkestra Simfonike e RTSH-së entuziazmoi publikun e pranishëm në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse ndërsa performoi tre vepra të repertorit klasik, njëra prej të cilave premierë.
Koncerti nën drejtimin e dirigjentit Aurélien Azan Zielinski dhe interpretimin e solistes së mirënjohur, pianistes Anna Kravtchenko u shijua nga dashamirët e artit dhe mjaft të ftuar të njohur, protagonistë të jetës artistike në vend.
Koncerti u hap me premierën “Retrospektivë – Homazh për Ligetin”, e kompozitorit të ri Kris Sopiqoti i cili në fjalën e tij para të pranishmëve e cilësoi homazh për kompozitorin Ligeti në 100-vjetorin e lindjes.
Kompozitori Kris Sopiqoti ka qenë pjesë e Synergy Projekt, mbështetur nga programi Creative Europe i Bashkimit Europian me veprat e tij.
Vepra e dytë “Koncert për piano nr. 2, op. 21” nga Frédéric Chopin u realizua me performancën e pianistes Anna Kravtchenko e cila dhuroi plot emocione me interpretimin e saj, shoqëruar nga orkestra në sintoni të plotë.
Vepra e tretë “Simfonia nr. 1 – Pranvera” e kompozitorit Robert Schumann, po ashtu nhohu interpretim emocionues nga artistët e Orkestrës Simfonike të RTSH-së.
Ky ishte koncerti i dytë i sezonit që u hap më 15 shtator me tre vepra të tjera./atsh/KultPlus.com