23 Nëntor, 2020 - 12:13 pm
Vdekja e doajenit të muzikës popullore shqipe, Ismet Pejës ka lënë të pikëlluar të gjithë ata që e njohën e deshën muzikën e tij.
Për vdekjen e Pejës, ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Për Osmanin, Ismet Peja e ka kultivuar me pasion muzikën e vjetër qytetare, e cila sot mbeti pa zërin e saj unik.
Tutje Osmani ka vlerësuar opusin e çmuar që ai ka lënë prapa vetës.
““Robi s`plaket kur vje mosha, robi plaket kur do vetë”. Ky varg i këngës së njohur përmbledhë më së miri ecurinë jetësore të doajenit Ismet Peja, i cili sot mbylli sytë përgjithmonë.
Ai qëndroi për 63 vjet të tëra në skenën muzikore, duke e kultivuar me pasion muzikën e vjetër qytetare, e cila mbeti pa zërin e saj unik.
Këngët e tij do të mbeten një opus i çmuar për brezat, kurse vargu i kënduar nga ai “Për me le e për më vdekë, zoti ditën ta ka shkru”, do të jetë i përbotshëm!
Lamtumirë mjeshtër i këngës. T`u dëgjoftë zani përherë!” / KultPlus.com