Paloja mahnitë me performancë në natën finale të ‘Prishtina International Vocal Fest’

12 Tetor, 2020 - 7:08 pm

Medina Pasoma

Dritat e sallës u drejtuan nga ajo, emocionet e skenës filloi t’i ndjente por sytë e saj u përballën me një boshllëk në ulëset e audiencës. Sopranoja me zërin e mrekullueshëm, Adelina Paloja performoi koncertin ‘’Recital’’ në natën finale të Festivalit “Prishtina International Vocal Fest”, shkruan KultPlus.

Ishte bërë kohë e gjatë prej kur Paloja kishte munguar në skenën muzikore si pasojë e situatës pandemike që ka cunguar pothuajse të gjitha aktivitetet kulturore dhe jo vetëm. Sopranoja u rikthye me performancën e saj të jashtëzakonshme në edicionin e tretë të ‘’PriVocalFest’’, nën shoqërimin e pianos së Lirika Pulës dhe të një audienceje virtuale. Natyrisht mos prezenca e publikut është edhe mungesë e energjisë që përçohet në mes tyre dhe artistit, mirëpo Paloja arriti ta menaxhoj këtë duke i jetuar thellësisht veprat me të cilat u prezentua kësaj radhe.

‘’Vetë skena të dhuron magjinë sepse mundëson që përmes artit tënd të jetësosh veprat e kompozitorëve që lanë gjurmë të përjetshme përmes thesarit artistik që trashëguam nga ta. Me interpretimet tona ne prekim të padukshmen, hapësira e zemra njerëzish’’, theksoi për KultPlus sopranoja Adelina Paloja.

Programi u hap me veprën e Prenk Jakovës ‘’Kah mendoj për ditë e reja’’, përderisa veçantia e saj mbetet te fakti se kësaj radhe ishte e shkëputur nga opera dhe për herë të parë interpretoi si Solo. Publiku vazhdoi të dëgjoj një bllok veprash vokale nga kompozitori rus Sergei Rachmaninoff, përderisa pjesa e dytë e koncertit përfshiu ciklin nga Joaquin Turina, e cila erdhi si premierë në Kosovë dhe vepra të tjera spanjolle dhe italiane.

Ndërkaq Paloja për përzgjedhjen e tyre është kujdesur që të jenë pak ose hiç të interpretuara më parë në vendin tonë, në mënyrë që dëgjuesit të përballen me diçka të re.
‘’Kjo ariozë nga opera e parë shqiptare “Mrika” të cilën për herë të parë të shkëputur nga opera e kam interpretuar edhe me Orkestrën Simfonike të RTSh-së me maestro Jetmir Barbullushin, është jashtëzakonisht e bukur dhe me motive të fuqishme andaj uroj që të vazhdoj të interpretohet më shpesh’’, shprehet tutje sopranoja Paloja teksa flet për veprën e Jakovës ‘’Kah mendoj për ditë e reja’’.

Përderisa për Palojën mbetet kënaqësi performimi në ‘’Prishtina International Vocal Fest’’, periudha përgatitore për këtë koncert merrte kohë dhe shumë mund. Poashtu, vend të rëndësishëm kishte zënë edhe konceptimi i programit, i cili sipas saj duhet të kishte një sintezë logjike.

‘’Kam përzgjedhur si bllok veprash të pjesës së parë krijimtarinë vokale nga opusi i kompozitorit rus Sergei Rachmaninoff të cilat përveç që janë me kërkesa gjithashtu është janë jashtëzakonisht të bukura dhe është e pamundur të mos mishërohesh me secilin tingull e fjalë. Pastaj një cikël nga Joaquin Turina i cili intepretohet si premierë kosovare për të vazhduar me vepra tjera të bukura nga literatura spanjolle dhe italiane’’, potencon sopranoja për KultPlus.

Emocionet e Palojes padyshim se do të shtohen edhe më shumë, kur publikun të cilin e ka motiv do ta takoj në interpretimet sy më sy.

‘’Si përherë ndihem e bekuar me pritjen e publikut artdashës që e ka përcjellur koncertin e mezi po pres t’i kem përballë në skenë e ta përjetojmë muzikën së bashku. Janë pjesa më e bukur ku puna ime kurorëzohet andaj jam thellësisht e falënderuese ndaj tyre’’, deklaron Paloja.

Ky interpretim ishte ndër ato interpretime që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut, anipse nuk gëzuan mundësinë e të shijuarit drejtpërdrejt edicionin e sivjetëm të ‘Prishtina International Vocal Fest’. / KultPlus.com

Të ngjajshme