Paraqitje e mrekullueshme e ‘Big Band Prishtina’ në mbyllje të ‘Prishtina Jazz Week”

7 Mars, 2020 - 1:58 pm

Qendrim Badalli

Me nga një shishe verë apo ndonjë birrë në dorë, një numër i madh i adhuruesve të Jazz-it në Kosovë, po prisnin në hollin e Kino Armatës, për të hyrë në sallë e dëgjuar koncertin nga Big Band Prishtina, i cili do ta përfundonte edhe edicionin e sivjetëm të këtij festivali në vend, shkruan KultPlus.

Kur gjithçka ishte gati, në skenë po dilnin anëtarët e bendit të njohur kosovar të cilët për më shumë se një orë ofruan një koncert fantastik. Duartrokitjet nuk mungonin nga publiku që kishte stërmbushur hapësirën e Kino Armatës.

Më 2 mars filloi ky edicion me formacionin nga Hungaria, Nikoletta Szoke Quartet feat Kristof Bacso, me tre mars vazhdoi mbrëmja me formacionin nga Turqia, Elif Caglar Quartet, me 4 mars vazhdoi tutje me formacionin nga SHBA, Marcos Varela, me 5 mars po ashtu me një formacion tjetër nga ShBA me Broken Circles ft Joel Ross dhe krejt në fund me 6 mars me mbrëmjen e djeshme me Prishtina Big Band.

Në një artikull kushtuar ‘Prishtina Jazz Week’, gazetari i KultPlus-it, Bujar Meholli, tregon për natyrën e muzikës Jazz:

“Xhazi si zhanër muzikor, përpos që është instiktiv, ka lindur si një largim apo ikje nga realiteti. Pra, kur sheh disa muzikantë teksa performojnë xhaz, ata thjeshtë ikin nga racionalja dhe nisen drejt spontanitetit , drejt shpërfaqjes së shpirtit të lirë, pa shpjegime, përmes tingujve”.

Në një intervistë ekspluzive për KultPlus, pianisti i Big Band Prishtina, Ilir Bajri, shprehu përshtypjet e tij si dhe falënderimet për mbrëmjen e djeshme:

“Ky është koncerti jonë i dytë, jam kënaq pak ma shumë, më ka pëlqyer atmosfera. Jemi ndje më të sigurt edhe si grup edhe rasti ke më i mirë, pra e patëm mbylljen e festivalit. Më duhet ta përgëzoj edhe Nesim Maxhunin edhe Komunën për këtë organizim”.

Tutje Maxhuni tregoi edhe për rendësin që ka organizimi i ‘Prishtina Jazz Week’:

“Rëndësia më e madhe është që njerëz të vijnë dhe të ndihen mirë, me pasë një jetë pak më urbane, me pasë eksperienca të reja. Mendoj se kemi pasur një organizimi dhe realizim mjaft të mirë”.

Në një intervistë për KultPlus, njëri nga organizatorët e këtij festivali, Shpat Deda, ka folur për organizimin në të gjitha netët e kësaj jave:

“Unë për vete jam kënaq shumë edhe pse jemi lodh shumë. Kemi pasur vështirësitë tona si cdo organizim, por përfundimisht mendoj që kemi arrit me organnizu bashkë me Nesimin dhe Ardianin dicka të rrallë dhe fantastike për qytetin. Kemi pasur bende shumë shumë të mira prej krejt botës që na kanë inspiru edhe mu si muzikant më kanë inspiru shumë”.

Ai vlerësoi edhe mbrëmjen e djeshme, për të cilën tha që ‘e mbylli më së miri këtë edicion’:
“Sonte jam tepër tepër krenar që e përfunduam këtë edicion me Prishtina Big Band. Të gjitha ata që kanë qenë sonte këtu besoj që pajtohen me mu që ka qenë mënyra më e mirë se si të përfundohet ky edicion”.

Veçantia e çdo edicioni është rritja e interesimit nga ana e publikut:

“Secili edicion është i veçantë në vetvete por për çdo edicion që po e mbajmë po vërejmë interesim më të madh dhe gjithashtu me cdo mysafir që po na vie nga jashtë neve na rriten kontaktet”.

Edicioni i sivjetëm “Prishtina Big Band” ka filluar nga 2 marsi dhe ka përfunduar mbrëmë, ku të gjitha mbrëmjet janë mbajtur në Kino Armata. / KultPlus.com

Të ngjajshme