Pas 10 vitesh, Dren Abazi i dhuron Prishtinës një koncert nën yje

13 Korrik, 2019 - 10:44 am

Rrona Jaka

Nën yjet e parkut të Gërmisë, është promovuar albumi i  ri i këngëtarit Dren Abazi.

I veshur në të bardhë e më kitarë të kuqe, Abazi e ka shndërruar në festë këtë koncert, duke na dhuruar disa këngë të jashtëzakonshme, që të kujtojnë dashuritë më të zjarrta si dhe trishtimet më të thella. – shkruan Kultplus.

“Po shënojmë dhjetëvjetorin e Zig Zak Orkestrës dhe po e promovoj albumin e ri, me këtë koncert për realizimin e të cilit, kanë kontriubuar shumë njerëz” –  ka thënë Dren Abazi për Kultplus.

Me këngë të reja e të vjetra festa është bërë gjithnjë e më madhështore. Trumbetat dhe kitara rrisnin adrenalinën teksa publiku nuk zinte vend në karriget e tyre.

Teksa i gjithë publiku i është bërë BackVocal, Abazi ka kënduar këngë të vjetra me të cilat të gjithë jemi rritur si: “O moj ti me sytë e zi”, “Jorgjica”, “I dehur jam” e shumë e shumë të tjera.

I pyetur nga KultPlus se si e ka zgjedhur titullin e albumit, Dren Abazi është përgjigjur gjithë gaz.

“Ky album mban titullin e këngës më të panjohur, ndoshta ishte një tendencë për t’i dhënë pak më shumë hapësirë kësaj kënge.”

Ndonëse këngët e reja ishin ende të panjohura për publikun këngët si “Mbreti i natës”, “Lamtumirë” e “Pa frymë” janë kënduar thuajse Acapella, ku zëri entuziast i audiencës dominonte mbi muzikën.

“Sonte qenka shumë më nxehtë, s’po bjen shi, po edhe në raftë le ta mirëpresim” ka thënë Abazi teksa e ka ftuar të gjithë audiencën që të kënaqen me koncertin e shumëpritur.

Ai nuk ka harruar t’i falënderojë përzemërsisht të githë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij për realizimin e këtij koncerti madhështor.

“Në këto momente emocioni, dua t’i përmend të gjithë e t’i falënderoj përzemërsisht por ndoshta e harroj ndokënd. Jam shumë i lumtur që pas shumë viteve, më në fund po rikthehem në Prishtinë. E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e madhe të Komunë së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës në Kosovë, Ministrisë së Kulturës në Shqipëri dhe gjithë sponsorëve të tjerë.” ka sqaruar Dren Abazi

Këngëtari  Dren Abazi është një ndër këngëtarët më të suksesshëm dhe më të dashur për publikun, i cili fillimisht u shfaq me grupin Zig Zag Orkestra, ndërkaq përmes këtij koncerti sonte u rikthye fuqishëm në Prishtinë pas disa viteve./KultPlus.com

Të ngjajshme