Pas Adriana Matoshit, zbulohet edhe prezantuesi i dytë i Festivali të Këngës në RTSH

9 Nëntor, 2023 - 2:25 pm

Festivali i Këngës do të mbahet në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor. Sikurse dihet, ai do të ketë më shumë se një prezantues, dhe deri më tani është zbuluar vetëm një prej tyre, aktorja e njohur Adriana Matoshi.

“Do të jem një prezantuese e re, që për herë të parë në jetën time marr pjesë në këtë event. Është një sfidë e madhe për mua, por si person mua më pëlqejnë sfidat. Mezi po pres që të fillojë festivali dhe të kënaqemi me këngët që i keni përzgjedhur. Suksese të gjithëve dhe uroj që të kënaqemi bashkë,” u shpreh Matoshi.

E së fundmi është zbuluar një tjetër prezantues që le të themi na surprizoi të gjithëve. Bëhet fjalë për Kledi Kadiun. 

Balerini dhe koreografi i njohur, që prej vitesh punon e jeton në Itali, do të jetë në rolin e moderatorit në netët e Festivalit, në një rol që mezi po presim ta shohim. Kadiu vitin e shkuar u rikthye në ekranin shqiptar si pjesë e jurisë së “Dancing With The Stars” në Top Channel, e është shprehur krenar për këtë mundësi që i është dhënë.

Dy moderatorët e tjerë që pritet të plotësojnë katërshen thuhet se janë Almeda Abazi dhe Xhani Shqerra.

Ekipi që do të realizojë festivalin e këtij viti përbëhet nga Bojken Lako, drejtori artistik, Enkel Demi si skenarist, kantautori Elton Deda, dhe regjisori Pali Kuke. / KultPlus.com

Të ngjajshme