28 Tetor, 2023 - 7:55 pm
Pak kohë na ndanë nga nata finale e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin e Kosovës. Sonte përmbyllet gara pas këndimit të dhjetë konkurrentëve të përzgjedhur për finale, teksa njëri ose njëra nga ta ka fatin që të merr trofeun e Festivalit.
Biletën për finale nga juria e siguruan: Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”, Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”, Angus Dei me “Një zemër për dy”, La Fazani me “Oj Kosovë”, Urban Band me “Ëndrrat s’kanë faj”, Nita Latifi me “Marrëzi”, Neki Emra me “Heroi im”, Hilmi Obertinca me “Pa ty s’më rrihet”, Saranda Alija me “Mendoj ku je” dhe Klea Dina me “Trenat”.
Ndërkaq juria profesionale në përbërje prej kryetares, Alma Bektashi, anëtares që vjen nga Suedia dhe ka përfaqësuar shtetin e saj në “Eurovision”, Ulja Sjostrom si dhe anëtarët e tjerë si kompozitori nga Tirana, Adi Hila, këngëtari Alban Nimani dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj, sonte do të vendos për emrin e fituesit apo fitueses së edicionit të parë.
Çmimi kryesor është një kupë që quhet ‘diamanti blu’, e që ka simbolikën e Kosovës që shkëlqen dhe medaljoni me shqiponjë të flamurit, me 500 diamante. Mirëpo organizatorët e Festivalit të Këngës kanë përgatitur edhe surpriza tjera.
Transmetimi televiziv do të nis, tashmë siç është bërë traditë, nga tapeti i kuq mbi platonë e Pallatit të Rinisë duke filluar nga ora 20:00. Ndërkaq në ora 21:00 hapet skena gjigante e Festivalit të Këngës për të sjellë mbrëmjen finale të spektaklit që shënoi histori për industrinë kulturore të vendit./rtk/KultPlus.com