15 Nëntor, 2021 - 7:45 pm
Pas pesë vitesh Eda Zari kthehet me një album të ri – si gjithherë – konceptual. “Palimpsest” Lasgush Poradeci Heinrich Heine My life is one Palimpsest, so is yours! “Ç’është truri i njeriut përveçse një palimpsest kolosal? Truri im është një palimpsest i tillë” – kështu Thomas De Quincey në “Libra – Suspiria de Profundis“.
Kjo metaforë vlen për zemrën, poezinë dhe muzikën! Pergamenat dhe letrat e shkruara rishtas u quajtën palimpsest. Ky kompleksitet është karakteristika kryesore e albumit dygjuhësh, shqip dhe gjermanisht, të Eda Zarit quajtur “Palimpsest”.
Ndryshe nga dashuria e epërme për të cilën John Coltrane në suitën e tij “A Love Supreme” shpreh muzikalisht qëllimin e tij – të jetonte jetën e vërtetë fetare, qëllimi i Eda Zarit është të shkruajë një vepër muzikore shpirtërore mbi poezinë lasgushiane që mbart konceptin kozmik, atë më të epërmin, të cilën Poeti e quan Dashuri. Muzikalisht Eda Zari ndihet si në shtëpinë e vet në varietetet e xhazit, muzikës kinematografike dhe world music. Për nderimin e vargjeve të Lasgush Poradecit, ajo zgjodhi një fjalor të saj melo- ritmik vokal në mënyrë që të përkthejë përshtatshëm vargjet poetit në muzikë. / KultPlus.com