23 Dhjetor, 2020 - 9:32 pm
Suada Qorraj
Katedralja ‘Nënë Terezë’ në kryeqytet sonte kishte marrë një hijeshi ndryshe. Kori i Filharmonisë së Kosovës kishte pushtuar hapësirën, për të dhuruar një shfaqje frymëmarrëse. Koncerti i fundvitit ‘Në kujtim të Nexhmije Pagarushës’, i dha jetë e plotë ngjyra hapësirës së kësaj katedraleje, shkruan KultPlus.
Kjo mbrëmje filloi nën tingujt e këngës më të bukur shqipe, ‘Bareshës’ së Nexhmije Pagarushës. E kompozuar nga kompozitori i famshëm e i mirënjohur shqiptar Rexho Mulliqi, tingujt e kësaj kënge, nën interpretimin e jashtëzakonshëm të Filharmonisë së Kosovës, përcollën emocione të forta tek publiku i kësaj nate.
Gjersa publiku ishte nën emocione të forta pas këtij interpretimi, në sallën e koncertit filluan që një nga një të këndonin edhe sopranot e mirënjohura shqiptare. ‘Një ditë e bukur maji’, mori një hijeshi krejtësisht ndryshe nën interpretimin e sopranos Dea Hamdiu.
Instrumentistët kishin vendosur maskat, por kjo nuk i pengonte që të luanin aq mjeshtërisht në instrumentet e tyre. Pandemia mbase kishte kufizuar numrin e pjesëmarrësve, por jo edhe madhështoren që përçoi secili interpretim e secila këngë.
Dirigjenti Gridi Kraja, këtë koncert e ka konsideruar mjaft të rëndësishëm ngase i kushtohej një personaliteti të jashtëzakonshëm për muzikën shqiptare. Ai ka shtuar se përgatitja për këtë koncert ka kërkuar një punë të madhe pas që shumica nga partiturat muzikore mungonin.
“Ishte një proces i rëndësishëm do të thoja, megjithëse ishte protokollar, koncerti i kushtuar Nexhmije Pagarushës një personaliteti të jashtëzakonshëm të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Kryesisht u bazuam në materiale që ishin të dashur për Nexhmie Pagarushën ndaj materiali ishte disi më i lartë, sepse materialet duheshin sjellë pak a shumë si dikur. Shumica e notave dhe partiturave muzikore mungojnë, dha na u desht të i riprodhonim dhe u realizua me sukses”, deklaroi Kraja për KultPlus.
Kurse për sopranon Selvije Mareti, ky koncert vinte si një kujtim për bylbylin e këngës shqipe, Nexhmije Pagarushën e cila ka ndërruar jetë gjatë këtij viti. Sipas saj puna e tyre dhe interpretimet që i sollën sonte ishin vetëm mënyra e tyre për të nderuar Pagarushën.
“Ne të gjithë e dojmë se Nexhmije Pagarusha veç këtë vit në shkurt ka ndru jetë, por si kujtim të këngëve të saj të cilat i ka pasur të gjitha perla ne e kemi nderu sado pak në atë mënyrën tonë për me i dhanë një shkëlqim apo gjithçka që ka frymëzu shqip në koncertin e Shkupit dhe në koncertin e ditës së sotme. Por, duke pasur parasysh se shkaqet e pandemisë e kanë bërë të veten më vjen keq që ky koncert kaq i bukur që po shihet paska pasur edhe publiku etje për këtë lloj këngë artistike, po shpresojmë se solistët e filharmonisë së Kosovës do ta vazhdojnë këtë rrugëtim me perlat e Nexhmije Pagurëshs”, pohoi ajo.
Kjo mbrëmje pati edhe shumë këngë të tjera, të cilat ndër vite kanë pasuruar muzikën shqiptare. ‘Një ditë e bukur maji’, ‘Kroi i fshatit tonë’, ‘Dashnor tu bana’, ‘E kujtoj at’ takim’, ‘Margjelo’, ‘Kenke nur i bukurisë’, ‘Perendeshë e bukurisë’ dhe ‘Agimet shqiptare’, jehuan në katër muret e sallës së katedrales së kryeqytetit.
Por kjo mbrëmje nuk mbaroi këtu sepse fundi ishte po aq i magjishëm sa edhe fillimi. Sopranot Dea Hamdiu, Ardita Ukaj, Elikonë Hysaj, Shkurtë Hykaj, Ilvije Dragusha, Klatrina Miftari, Diellza Sylejmani, Selvije Mareti dhe Adelina Paloja, u rikthyen dhe një herë përball publikut për të sjellë në jetë këngën ‘Valsi i Lumturisë’, një ndër hitet e këngëtares të brezit të artë Vaçe Zelës.
Duartrokitjet nuk munguan, madje të pranishmit u ngritën dhe në këmbë pas këtij interpretimi kaq të fuqishëm, nën zërat e bukur të sopranove. Pas përfundimit të koncertit, në sallë artistët dhe mysafirët u panë duke diskutuar mes vete ku shkëmbyen vlerësimet e tyre.
Në këtë koncert të pranishëm ishin edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti si dhe ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.
Kujtojmë se me 19 dhjetor të këtij viti po i njëjti koncert është mbajtur në Sallën e Filharmonisë Maqedonase në Shkup / KultPlus.com