2 Gusht, 2019 - 1:30 pm
Paul McCartney duhet të kujtohet se si t’i interpretojë hitet e tij të vjetra me “The Beatles”, sepse ato “janë jashtëzakonisht shumë” për t’u mbajtur mend.
Duke folur për gazetën britanike “Daily Mirror”, 77-vjeçari reflektoi për katalogun e tij të gjerë, ku përfshihet karriera gjashtëdekadëshe e kantautorit, shkruan KOHA Ditore. Dhe duke folur për mënyrën se si ai ballafaqohet me memorizimin e këngëve për koncertet e tij, krijuesi i hitit Let It Be rrëfeu se ai mbështetet në anëtarët e bendit të tij për ta ndihmuar atë që ta ringjallin kujtesën e tij.
“Më duhet të rimësoj gjithçka. Unë kam kompozuar shumë, nuk mund t’i mbash mend të gjitha”, tha ai. “Shkojmë në prova dhe unë them ‘Oh po, kështu shkon.””
Kur u pyet nëse ai beson se këngët janë “mjaft të mira”, ylli i hitit Hey Jude u përgjigj: “Besoj, vërtet besoj. Për disa nga këngët e vjetra do të thoshit: “Oh, kjo është e zgjuar, nuk do ta kisha bërë atë.”
“Është emocionuese të mendosh që kjo ende funksionon. Ne ishim një bend i vogël rock and rolli nga Liverpooli, dhe ky bend thjesht vazhdoi”, buzëqeshi ai. / KultPlus.com