15 Prill, 2019 - 7:20 pm
Pjesëmarrjen në Eurovizion e Shqipërisë nisi në vitin 2004 kur ky shtet u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “Imazhi yt”. Kënga u këndua në anglisht, me titull ”The Image Of You”, shkruan KultPlus.
Anjeza Shahini me këtë këngë u kualifikua për në finale, ku u vlerësua me 106 pikë duke u pozicionuar në vendin e 7 nga 24 vende konkurruese.
Pas Anjezës në vitin 2005 në Eurovizion u paraqit Ledina Çelo me këngën “Tomorrow I Go” e cila zuri vendin e 16-të. Në vitin 2006 në këtë garë u paraqit Luiz Ejlli me këngën “Zjarr e ftohtë”, ndërsa në vitin 2007 Frederik Ndoci me këngën “Hear My Plea”, anjëri nga ta nuk arriti që te kualifikohet në finale.
Shqipëria në Eurovizion në vitin 2008 u përfaqësua nga Olta Boka me këngën “Zemrën e lamë peng” e cila zuri vendin e 17-të në finale. Në vitin 2009 u paraqit Kejsi Tola me këngën “Carry Me in Your Dreams” e cila po ashtu zuri vendin e 17-të. Në vitin 2010 u paraqit Juliana Pasha me këngën “It’s All About You” e cila fitoi 76 pikë dhe zuri vendin e 19. Në vitin 2011 Shqipëria u përfaqsua nga Aurela Gaçe me këngën “Feel the Passion” e cila nuk u kualifikua për në finale.
Arritje të mëdha në këtë garë muzike me paraqitjen e saj në Eurovizion pati Rona Nishliu në vitin 2012 e cila e dërgoj Shqipërinë në finale. Ajo në Eurovizion u paraqit me këngën “Suss” e cila u vlerësua me 146 pikë e cila zuri vendin e 5-të.
Në vitin 2013 në Eurovizion u paraqiten Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko me këngën “Identitet” e cila nuk u kualifikua në finale. Në vitin 2014 u paraqit Hersi Matmuja me këngën “One Night’s Anger” e cila po ashtu nuk u kualifikua në finale. Në vitin 2015 në Eurovizion u paraqit Elhaida Dani me këngën “I’m Alive” e cila zuri vendin e 17 në finale.
Në vitin 2016 Shqipëria u përfaqësua nga Eneda Tarifa me këngën “Fairytale” e cila nuk u kualifikua në finale. Në vitin 2017 u paraqit Lindita Halimi me këngën “World” e cila po ashtu nuk u kualifikua në finale.
Në vitin 2018 Shqipëria u përfaqësua nga Eugent Bushpepa me këngën “Mall” e cila fitoi 162 pikë dhe zuri vendin e 11-të në finale.
Ndërsa këtë vit Shqipëria do të përfaqësohet në Eurovizion nga Jonida Maliqi, me këngën ‘Ktheju tokës’. Eurovizion këtë vit do të mbahet në Telaviv të Izrealit, me datat 14, 16 dhe 18 maj. / KultPlus.com