7 Gusht, 2022 - 6:45 pm
Era Berisha
Mbrëmë festivali “Sunny Hill” ka mirëpritur natën e tretë me radhë me një numër të madh të artistëve të cilët kanë ndezur audiencën si asnjëherë më parë. Kjo u dëshmua edhe atëherë kur publiku kishte zënë vendin afër skenës në një numër të madh, për të qenë sa më afër atyre që i kanë në zemër. Artistët e njohur kombëtarë e ndërkombëtarë pushtuan mbrëmë skenën kryesore me këngë që publiku i këndonte njëzëri me ta, shkruan KultPlus.
Edhe kësaj here, fundi i publikut nuk shihej aspak dhe kjo veçse e bënte këtë natë aq më të magjishme. Por, ishte zëri i gjithsecilit që jehonte dukshëm kur artistët në skenë ndalonin për t’i lënë hapësirë të pranishmëve që të këndonin këngët e tyre, dhe kjo vazhdoi për gjatë gjithë natës.
Duke nisur qysh nga artistët si: Lluni & Semi, Kamal, Ledri & Lumi B, Mc Kresha & Lyrical Son, AJ Tracey si dhe kryesuesin për këtë mbrëmje, Skepta, këngët e tyre më të njohura erdhën në një mënyrë krejtësisht të veçantë. Energjia e tyre dukej sikur nuk kishte fund, ndërsa dashuria e tyre për Kosovën shprehej nëpërmjet fjalëve që gjenin vend nëpër mesin e këngëve.
Të emocionuar për të qenë mbi skenën e “Sunny Hill” dhe për të mbështetur kauzën e Dua Lipës, secili artist pati diçka për të thënë. Duke nisur qysh nga Ledri Vula që ka përmendur problemin me çështjen e vizave e deri tek Skepta i cili ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka dëgjuar për Kosovën por që ka premtuar se do të kthehet përsëri dhe atë do ta bëjë më shumë kënaqësi.
Me këngët si: “Papi Chulo”, “No Security”, “Lunatic”, “Madness”, “It ain’t safe”, “Kiss and tell”, “Stay far away”, “Praise the world”, “Pure water”, “No security”, Skepta ka ngritur në këmbë publikun që të njëjtit kanë kënduar e kërcyer në vazhdimësi deri në orët e para të mëngjesit. Ndërsa, ishte skena e ndriçuar me reflektorë të ndryshëm ajo që i ka dhënë një tjetër hijeshi secilës këngë të interpretuar. Me drita të llojllojshme që shponin ajrin në vijëza të holla dhe audion në një nivel perfekt, nata e tretë e “Sunny Hill” kulmoi deri në fund me zërin e publikut që për asnjë sekondë nuk u ndal.
Përveç Skeptës, në skenën e “Sunny Hill Festival” u ngjitën edhe artistët shqiptarë të cilët njashtu kanë qenë një me publikun. Nga kënga në këngë, audienca filloi të shpeshtohej akoma më shumë teksa atmosfera bëhej akoma edhe më aktive.
“Du me pi”, “Tërmet”, “Narcos Albania”, “Menime”, “JBMTQR”, “Private”, “Amsterdam”, “Hotel Mahalla”, “Semafori”, “Lej Flleshat”, “Pasite”, “Era”, “Luv luv”, “Filmi i fundit”, “Hip Hop”, “Çele Çadren”, ishin vetëm disa nga këngët shqipe që u interpretuan mahnitshëm. Duartrokitjet dhe brohoritjet e vazhdueshme në publik dëshmuan për talentin e çdo artisti që mbrëmë ka qenë mbi skenë.
Ndërkaq, sonte duke filluar nga ora 18:00 në skenë do të ngjitën artistët si: Adrian, Rrrron, Bookie, Caboo, Vertigeux, Art Haliti, Jimpong, Labi Ramaj, Romeo Blanco, Burak Yeter dhe Regard. Kurse, Diplo është artisti që do kryesojë natën e katërt dhe njëkohësisht të fundit të “Sunny Hill Festival”. / KultPlus.com