Me performancën e dy koreve nga Peja u përmbyll POST DAM 2018 në Prishtinë

27 Prill, 2018 - 4:49 pm

Alberina Haxhijaj

Festivali DAM, mbrëmë është rikthyer në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare për të sjellë mbrëmjen e titulluar “Përtej” në kuadër të Post DAM 2018. Mbrëmja solli interpretime të fuqishme dhe atraktive të dy koreve nga Peja – Korit të shkollës së Mesme të Muzikës “Halit Kasapolli” dhe Korit “Siparantum”, shkruan KultPlus.

Mbrëmja filloi me veprën “The Lion Sleeps Tonight” nga Kori i Shkollës së Mesme të Muzikës e që numëron vetëm gjashtë koncerte recitale deri më tani. Mirëpo, duartrokitjet që morën nga publiku në Prishtinë, shërbenin si dëshmi se puna e tyre është mjaft premtuese. Faktin se ky ka qenë një fillim i vështirë për korin, nuk e mohon as dirigjenti Memli Kelmendi.

“Ka qenë një punë mjaft e vështirë në fillim për arsye se personalisht menzi që kam arritur ta bashkoj muzikën dy-zërshe, e pas një kohe me punë dhe me vullnetin e nxënësve kemi ardhur edhe te muzika katër-zërshe. Deri sot me Shkollën e Mesme të muzikës kemi mbajtur gjashtë koncerte recitale, me korin akapella e që nuk është punë e lehtë”, tha ai për KultPlus.

Vepra e gjashtë “Lux Aurumque” nga Eric Whitacre solli në skenë dy koret për të interpretuar së bashku në koncertin i cili ndryshe erdhi si mbrëmje “POST DAM”. Ndërsa pjesa e dytë e kësaj mbrëmje i takoi Korit “Siparantum”, kor ky i cili shënoi dy vite punë pikërisht në kuadër të festivalit DAM, në të cilin vitin e kaluar pati edhe debutimin si kor.

Dirigjenti dhe themeluesi i korit Siparantum, Memli Kelmendi, tregoi për Kultplus se ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë për anëtarët e korit, të cilët njihen nga publiku për lëvizjet në skenë dhe efektet e tjera që përdorin gjatë interpretimit.

“Kur vendosa që të formoj Korin ‘Siparantum’ ideja ka qenë që të sjellim diçka më ndryshe dhe të krijojmë një natyrë krejtësisht tjetër e që nuk jemi mësuar ta shohim në Kosovë. Sigurisht kjo është një risi dhe jo çdokujt mund ti pëlqejë ky stil mirëpo mendoj që kjo e afron publikun dhe i jep një qasje krejtësisht tjetër”, tha ai.

Kori “Siparantum” solli gjashtë vepra, në mesin e të cilave ishte edhe vepra premierë e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj. Kompozitori Aliçkaj tregoi për KultPlus se veprën “Siparantum” e ka shkruar katër muaj më parë pikërisht për këtë kor.
“E kam përdoru emërtimin e korit ‘Siparantum’ dhe vetëm me këtë fjalë e kam krijuar veprën. Jam munduar që në vepër të shpreh stilet e kohës, të shekullit XX dhe XXI, mirëpo ajo është edhe një gërshetim i folklorit tonë burimor, jo i cituar po i krijuar nga unë. Këto motivet tona jam munduar që ti shpreh në mënyrën sa më profesionale. Po ashtu në këtë vepër jam munduar që të ketë edhe elemente moderne, si dhe një pjesë ka të bëjë me muzikën e renesancës të shekullit XVI. Pra vepra i ka disa stile në të dhe mund të themi së është polistilistike”, tha ai për KultPlus.
Tutje ai tha se ai është munduar që në vepër të sjellë efekte të ndryshme të tingujve, të zërave të njerëzve duke e bërë veprën më atraktive për publikun. Kështu në vepër është një pjesë ritmike, mjaft atraktive, një pjesë me efekte dhe një pjesë që në aspektin harmonik është shprehur shumë mirë, pastaj përsëri repriza, pra për nga forma mund të quhet një ABA.

Kjo vepër por edhe disa pjesë të tjera nga ky koncert, e që u shoqëruan herë pas here edhe me piano dhe violinë, e ku nuk munguan as solistët , do të luhen nga kori edhe gjatë pjesëmarrjes në festivalin ndërkombëtar të koreve botërore “Nancy voix du monde”, festival i cili mbahet nga 9-13 Maj në Nancy të Francës, ku Kosova paraqitet për herë të parë.
Me këtë koncert që shërbeu si epilog i edicionit të 13-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” u përmbyll edhe një edicion i suksesshëm. / KultPlus.com

Të ngjajshme