1 Korrik, 2019 - 1:12 pm
Në Zvicër për herë të parë është mbajtur festivali i muzikës shqiptare, “Alba Festival”. Ky festival për dy ditë rresht mblodhi afro 25 mijë vizitorë në Hardturm të Cyrihut, derisa dhuruan spektakël artistët shqiptarë.
Në këtë koncert madhështor performuan më tepër se 16 artistë, në mesin e të cilëve ishte edhe ylli Rita Ora, Ledri Vula, Ermal Fejzullahu, Kida, Dafina Zeqiri, Dhurata Dora, Rina Balaj, Fero e shumë të tjerë.
Para performancës, reperi Ledri Vula në rrjetet sociale ka publikuar një fotografi me Ritën, teksa ka marrë një numër të madh të komenteve nga fansat e tij.
“Alba Festival”, është përmbyllur me këngëtaren Ora, e cila nuk ka dyshim se mahniti publikun me performancën e saj të veçantë.
Krahas Ritës, njëra nga artistet që tërhoqi vëmendje ishte edhe Dhurata Dora me veshjen që zgjodhi “Kuq e Zi”. Ajo performoi hitin e fundit “Zemër” në bashkëpunim me Soolking, dhe në videot e mëposhtme mund të shikoni atmosferën që krijoi.
Synimi i këtij festivali ishte pikëtakimi për një miks të muzikës moderne nga trojet shqiptare si dhe shkëmbimi ndërkulturor.
Ndryshe, përpos muzikës në këtë festival kishte stenda me ushqime nga Ballkani si dhe ishin të vendosura disa “Shisha – bare”. /Telegrafi/ KultPlus.com