21 Gusht, 2023 - 4:19 pm
U mbyll edicioni i 17-të i Festës së Birrës në Korçë, eventit më të madh veror në Shqipëri.
Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo ka falenderuar mijëra vizitorë që zgjodhën Korçën këto 5 ditë.
“Një falenderim zemre për mijëra vizitorë që zgjodhën Korçën këto 5 ditë. Falenderim zemre banorëve të Korçës që mikpritën vizitorët e festuan bashkë me ta deri në orët e para të mëngjesit”, shkroi Filo në rrjetet sociale.
Në këto 5 ditë, mijëra njerëz, vendas e të huaj, zgjodhën Korçën, tejmbushën hotelet, baret e restorantet, Pazarin e Vjetër, rrugët e sheshet e në mbrëmje festuan së bashku me korçarët në sheshin e terminalit.
Festa e Birrës që në konceptin e saj 17 vite më parë, u ndërtua nga bashkia si produkt turistik, magnet për vizitorë nga brenda e jashtë Shqipërisë, një produkt që stimulon ekonominë lokale dhe rrit të ardhurat e bizneseve të shërbimit në Korçë.
“Festa e Birrës iu solli punë të shtuar bizneseve lokale dhe e gjallëroi Korçën duke i sjellë 5 ditët me të bukura të verës.
Si e tillë Festa e Birrës edhe këtë vit shënoi rritje dhe sukses të madh”, është shprehur kryetari i Bashkisë Korçë./atsh/KultPlus.com