6 Tetor, 2023 - 10:30 am
Në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit përfundoi masterclass-i i sopranos Ermonela Jaho. Në përfundim të kësaj përvoje të vyer, pjesëmarrësve iu ndanë certifikatat përkatëse, nga sopranoja Jaho dhe drejtoresha e TKOB-së, Abigeila Voshtina.
“U finalizua një tjetër masterclass me mjeshtren e skenave të mëdha ndërkombëtare, Ermonela Jahon, e cila me profesionalizmin e saj inspiroi çdokënd që ka vullnetin, pasionin e talentin për t’u gjendur gjithnjë pranë artit”, u shpreh Voshtina në një postim në rrjetet sociale, ku ndau edhe një album fotografik nga ky event.
Masterclass-i erdhi në kuadër të programit profesional “Akademia Teatrale”, iniciuar për të bërë bashkë të rinjtë nga rajoni dhe Evropa, me synimin për të përfeksionuar teknikat muzikore, dhe jo vetëm. Pjesëmarrësit në këtë trajnim të dytë, ishin 22 vetë, nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Evropës./ atsh / KultPlus.com